Arrestohet një polic në Obiliq, dyshohet se mori ryshfet për të interferuar në hetimin e një rasti penal

Një hetues i stacionit policor në Obiliq është arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin se ka pranuar 1 mijë euro ryshfet për të interferuar në hetimet e një rasti penal.

IPK ka thënë se arrestimi i zyrtarit policor ka ndodhur sot nga hetuesit e Departamentit të Hetimeve dhe se ai po dyshohet se ka kryer veprat penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit, dhe – marrje ryshfeti.

“Bazuar në veprimet hetimore që hetuesit e IPK-së kanë realizuar deri më tani, dyshohet se zyrtari policor ka pranuar 1000 Euro për të interferuar në hetimet e një rasti penal” – tha IPK.

Hetimet në këtë rast kishin filluar kohë më parë me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës, Departamentin e Krimeve të Rënda.

“Pas disa veprimeve hetimore duke përfshirë edhe hetimin me masa të fshehta hetimore, sot rreth orës 17:00 nga hetuesit e IPK-së është arrestuar në Obiliq zyrtari policor” – u tha në komunikatën e Inspektoratit Policor.

Tutje u njoftua se prokurori kompetent ka marrë vendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit për 48 orë.

Po ashtu u njoftua se hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.