Biznesmeni Bedri Rexhepi, Foto: KALLXO.com

Arrestohen edhe dy persona në lidhje me zhdukjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

Më shumë se një vit nga zhdukja e biznesmenit Bedri Rexhepi, janë arrestuar edhe dy persona në lidhje me rastin e zhdukjen e tij.

Dy personat janë arrestuar nën dyshimet për veprën penale të rrëmbimit.

Sipas prokurorisë, në momentin e arrestimit janë sekuestruar edhe disa prova materiale të cilat do t’i shërbejnë prokurorisë në këtë çështje penale.

Prokuroria ka njoftuar se është duke punuar në maksimum me të gjitha kapacitetet që i kanë në dispozicion.

Që nga fillimi në lidhje me këtë rast ka pasur disa persona të dyshuar për zhdukjen e Rexhepit.

Për po të njëjtin rast, në gusht të vitit 2021 ishte arrestuar edhe S.G, ndaj të cilit gjykata kishte shqiptuar edhe masën e paraburgimit.

S.G sipas familjarëve të Rexhepit ishte prezantuar si agjent i CIA-s duke i paraqitur fakte të rreme në lidhje me gjetjen e biznesmenit.

S.G dyshohet se i ka vënë në lajthim familjarët e të dëmtuarit Bedri Rexhepi, i cili është i zhdukur, duke paraqitur fakte të rreme kinse për gjetjen e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore.

Lidhur me këtë rast ishte arrestuar edhe një grua. Arrestimi kishte ndodhur në qershor të këtij viti.

Familjarët dyshimet më të mëdha i kishin në një klient me të cilin bashkëpunonte biznesmeni Rexhepi.

Kujtojmë se biznesmeni Rexhepi nga Prishtina ishte zhdukur më 8 prill të vitit 2021 rreth orës 16:30.

Vëllai i Bedriut, Adnani, kishte rrëfyer për KALLXO.com se në ditën kritike kur vëllai i tij kishte dalë nga banesa, kishte qenë në shoqëri të klientit të tij, Jeton Vllasaliu.

“Vëllai kur ka dalë prej banesës në ora 16:30 me datën 8 ka pas me u taku me Jeton Vllasaliun. Jetoni është i dyshuari kryesor është i burgosur. Jetoni ka qenë klient i vëllait, ka qenë klient i rregullt, atë ditë Jetoni i ka thënë që ka me t’i shit dy automjete dhe vëllai ka shku me i marrë ato automjete dhe një vlerë të obligimit që ka jetoni ndaj vëllait me e zbatu me ato vetura dhe me u kry Pazar. Ata dy janë taku ka shku vllau e ka marrë Jetonin deri te shpia e vet në Hajvali”, tregoi Adnan Rexhepi.

Sipas vëllait të biznesmenit Bedri Rexhepi, Adnanit, ai ka qenë me një veturë ngjyrë hiri të tipit Jeep.

“Këtë  e kemi kuptu në bazë të incizimeve që i kemi marrë te disa biznese, kerri i vëllait që ka qenë atë ditë shihet deri sa vazhdon për në Novobërdë”, ka thënë ai.

Kurse vetura e tij u  gjet ditën e nesërme në fshatin Shushicë të Komunës së Janjevës, pas raportimit nga një qytetar I asaj zone.

Për rastin në vazhdimsi ka raportuar KALLXO.com