Arrestohen dy zyrtarë në Obiliq, dyshohen se një personi i krijuan dy identitete të rreme

Policia e Kosovës ka arrestuar sot dy persona nën dyshimin se i mundësuan një personi pajisjen me dokumente zyrtare të Republikës së Kosovës duke i krijuar identitet të rremë.

Sipas njoftimit, të dyshuarit janë zyrtarë në Qendrën për Regjistrim Civil në Obiliq.

Të njëjtit po dyshohet se kanë falsifikuar dokumentet zyrtare, me ç ‘rast i kanë mundësuar një personi që të pajiset edhe me dy identitete tjera të rrejshme dhe duke e pajisur të njëjtin me dokumente valide të Kosovës.

“Policia pas një pune hetimore kanë arrit të sigurojnë informata dhe prova relevante për të dyshuarit me iniciale (I. M.) dhe (A. G.), zyrtarë në Qendrën për Regjistrim Civil në Obiliq, për të cilët dyshohet se duke keqpërdor detyrën zyrtare, kanë falsifikuar dokumentet zyrtare, me ç ‘rast i kanë mundësuar personit me iniciale (F.A.) që të pajiset edhe me dy identitete tjera të rrejshme dhe atë në emrat (A.G.) dhe (A.R.), dhe po ashtu duke e pajisur të njëjtin me dokumente valide të Republikës së Kosovës (Çertifikatë të lindjes dhe letërnjoftim) me identitete të rreme”- thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi se të dyshuarit e lartcekur me iniciale dyshohet se kanë kryer veprën penale; “Falsifikim i dokumentit zyrtar” dhe“Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndersa thuhet se sot të dyshuarit e lartcekur janë intervistuar në cilësi të personave të dyshuar në prezencë të Avokatëve Mbrojtës dhe pas konsultës me Prokurorin e rastit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë për proceduar të mëtejme ligjore.