Arrestimi i kameramanit, prokurori: S'e kam parë videon e plotë të arrestimit, isha në pauzë

Ramadan Koro, prokurori kujdestar në Prizren, ka thënë se nuk e ka parë të gjithë xhirimin e arrestimit të kameramanit gjatë ditës së sotme në Suharekë, edhe pse kanë kaluar disa orë nga kjo ngjarje.

Koro ka thënë se filmimet i ka parë më vonë pasi ka qenë koha e pauzës.

“Filmimet i kam parë pak më vonë sepse ka qenë koha e pauzës. Veprimet e policit në vendngjarje nuk mundem t’i komentoj sepse nuk kam qenë në vendngjarje”, shtoi Koro.

Koro në deklarimin për KALLXO.com tha se ende nuk ka kontaktuar me Inspektoratin Policor të Kosovës, por me organe tjera.

“Me Inspektoratin Policor nuk kam kontaktuar, kam folur me përgjegjësin e departamentit tonë, gjithashtu me kryeprokurorin, kam biseduar edhe me komandantin e stacionit policor atje. Rasti nuk ka dy orë që ka ndodhur, menjëherë po kërkoni përgjigje”, ka thënë Koro.

Sipas tij, Policia e ka parë të arsyeshme të shoqërojë kameramanin në stacion.

“Policia në vendngjarje nuk ka pasur komunikim paraprakisht me mua, ata e kanë parë të arsyeshme me vendos ashtu edhe me shoqëru në polici. Pastaj, kur rasti ka kaluar në hetime kam biseduar me hetuesin e rastit, kam autorizuar pastaj edhe me shkrim për veprime hetimore, të intervistohet kameramani dhe menjëherë është liruar”, ka thënë Koro.

Koro theksoi se kameramanin ka vendosur ta lirojë pasi nuk janë plotësuar kushtet për ta mbajtur.


Lidhur me xhirimet e publikuara në media, Koro tha se është ende herët për të dhënë vlerësim.

“Sa i përket filmimeve është shumë herët të japim  vlerësim jemi në procedurë para penale, nuk kemi përfundim të hetimeve ende kështu që nuk dihet si do rrjedhë e të jap komente tani”, shtoi më tej ai.

Sipas tij, nuk janë vonë për asgjë sa i përket këtij rasti.

“Ne nuk jemi vonë për asgjë, kemi biseduar me organet relevante, nëse kemi elemente edhe të policëve, e njëjta do vlejë edhe për ta, nuk është vonë dhe nuk kemi pse ngutemi për asgjë”, ka thënë Koro.

Ai për fund shtoi se sot do kontaktojë me IPK-në, kurse për videon tha se do e shikojë në detaje më vonë.

“Patjetër që sot do kontaktojmë me IPK-në, nuk mundem me komentu nëse ka pas dhunë nga ana e policisë, videon e kam parë shkurt, unë nuk merrem vetëm me këtë rast pasi  kam edhe 100 tjera. Ky lajm mund të jetë për juve kryesor, jo për mua, mbajtja e tij nuk ka zgjatur as gjysmë ore”, ka thënë Koro.

Kameramani i agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online” Albion Selitaj është arrestuar nga Policia e Kosovës sot gjatë ditës derisa ishte duke xhiruar një aktivitet të Agjencisë Kosovare të Privatizimit së bashku me Policinë e Kosovës.

Shpjegimi i Policisë për arrestimin e kameramanit sot në Suharekë

Lidhur me këtë arrestim janë suspenduar 2 policë kurse 5 të tjerë janë dërguar në procedurë disiplinore.