Shpjegimi i Policisë për arrestimin e kameramanit sot në Suharekë

Policia e Kosovës e ka shpjeguar arrestimin e kameramanit të një agjencia të lajmeve Albion Selitaj, sot në Suharekë, duke theksuar se i njëjti e ka penguar personin zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Në një njoftim, Policia ka theksuar se sot, në orën 11:45, në rajonin e Prizrenit, në Suharekë, Policia e Kosovës me njësitet e saj, gjatë realizimit të një plani operativ në asistencë të AKP-së, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare të saj “ka arrestuar një person të dyshuar pasi që i njëjti nuk ka zbatuar urdhrat e Policisë duke penguar zyrtarët policorë në kryerje të detyrës zyrtare, si dhe në realizimin e detyrave të tyre sipas planit”.

PK tutje ka bërë të ditur se personi i dyshuar është shoqëruar në stacion policor për intervistim, dhe pas konsultimit me prokurorin e shtetit, rasti iniciohet dhe shkon në procedurë të rregullt për hetime të mëtejme.

Kameramani ishte duke përcjellur ngjarjen kur Agjencia Kosovare e Privatizimit, e shoqëruar nga Policia e Kosovës kanë shkuar në zyrat e Ndërmarrjes “AgroKosova Holding”.

Forcat e rendit e kanë larguar kameramanin me dhunë nga objekti. Kameramani Albion Selitaj është liruar pas gati dy orë më vonë.

Flet kameramani i arrestuar, thotë se Policia ka pas sjellje të vrazhdë