Ankesat e punëtorëve për vonesat në paga, Posta e Kosovës tregon arsyet

Thuajse cdo muaj punëtorët e Postës së Kosovës përballen me të njëjtin problem, marrjen e pagës me kohë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me këtë problematik për të cilën ankohen shumë punëtorë.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e Ndërmarrjes Publike Posta e Kosovës.

Të njëjtit në një përgjigje për KALLXO.com kanë thënë se me këtë problem punëtorët ballafaqohen që nga viti 2015.

Pra punëtorët e ndërmarrjes Posta tash e 6 vite për çdo muaj marrin pagat me vonesë.

“Shkaqet e vonesave janë rezultat i pamundësisë së inkasimit të humbjeve nga ofrimi i Shërbimit Universal Postar, si dhe borxhet e akumuluara të Telekomit të Kosovës ndaj Postës së Kosovës”, ka thënë në një përgjigje për KALLXO.com, Zëdhënësi i Postës së Kosovës, Arsim Mehmeti.

KALLXO.com raportoi edhe për vonesat e pagave në muajin që shkoi pra në shtator.

Disa nga punëtorët e Postës së Kosovës nuk kishin gëzuar pagën as pas datës 17 shtator.

Në anën tjetër KALLXO.com gjithashtu në vazhdimësi ka raportuar edhe për avancimet dhe konkurset që janë shpallur nga ana e Postës së Kosovës gjatë këtyre viteve.

Impakti i hulumtimit të KALLXO.com: 111 punëtorë të Postës preken nga rekomandimi i Bordit për anulim të avancimeve