Foto: ZKM
Kurti e Rizvanolli vizitojnë Postën e Kosovës, flasin për rrjetin e zyrave postare në veri
Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot e kanë vizituar Postën e Kosovës.
Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi u vlerësua se Posta e Kosovës po e zgjeron rrjetin e zyrave postare edhe në veri të vendit, ku së fundmi janë hapur katër pika të reja postare.
“Në Komunën e Leposaviqit vetëm në 24 orët e fundit janë rreth 200 transaksione nëpërmjet Postës së Kosovës atje”- thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se u veçua mbarëvajtja e projektit të aplikimit për vula Apostille dhe legalizuese për të gjitha dokumentet që vulosen në Departamentin për Çështje Konsullore pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nëpërmjet shërbimit “Super Express” dhe investimet në digjitalizimin e shërbimeve.
Në komunikatë thuhet se investimet kapitale për peridudhën janar-shtator të këtij vit janë mbi 70% më të larta sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2022.
“Kryeministri Kurti dhe Ministrja Rizvanolli vlerësuan se në platformën eKosova po integrohen të gjitha shërbimet postare, duke filluar deklarimin e adresës postare, që do t’i jep shtytje të madhe cilësisë së shërbimit. Ata po ashtu thane se përkrahja e Qeverisë për Postën e Kosovës do të vazhdojë edhe më tej, në mënyrë që shërbimet postare të jenë afër çdo qytetari të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftim.
Ndërsa, kryeshefja ekzekutive dhe bordi mbikëqyrës, në mesin e arritjeve të fundit të Postës veçuan pasurimin e flotës me motoçikleta elektrike, të cilat mundësojnë shpërndarjen sa më të shpejtë të dërgesave postare te qytetarët dhe po ashtu ofrojnë një transport të pastër ekologjik, si dhe promovimin që i bëhet vlerave të Kosovës përmes pullave postare.
Kurti e Rizvanolli janë pritur në takim nga kryeshefja ekzekutive e kësaj ndërmarrjeje, Nora Rraci, kryetari i bordit të drejtorëve, Fadil Bejta dhe anëtarë të tjerë të bordit.