Impakti i hulumtimit të KALLXO.com: 111 punëtorë të Postës preken nga rekomandimi i Bordit për anulim të avancimeve

Bordi i përkohshëm i Postës së Kosovës ka kërkuar nga menaxhmeti i ndërmarrjes të shfuqizojë të gjitha avancimet që kanë ndodhur brenda kësaj ndërmarrjeje në 8 muajt e fundit.

Pas hulumtimit të KALLXO.com në lidhje me avancimet që kanë ndodhur muajve të fundit në Postën e Kosovës, Bordi i ka kërkuar ushtruesit të kryeshefit të Postës së Kosovës Rafet Jashari që të kthej në pikën zero avancimet e bëra në 8 muajt e fundit.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e Postës së Kosovës në lidhje me rekomandimin për anulimin e avancimeve. Në një përgjigje Posta ka thënë se risistemimet brenda kësaj ndërmarrjeje kanë nisur nga dhjetori i vitit të kaluar dhe rekomandimi i Bordit të Postës prek 111 punëtorë.

24 prej punëtorëve, sipas Postës, aktualisht janë me vendime risistemimi konform procedurave të aktit te brendshëm, lëvizje një gradë fillimisht 6 muaj me vendim risistemimi dhe më pas pason kontrata apo kthimi në pozitën e mëparshme varësisht nga performanca e punëtorit.

“1 prej tyre është U.D. menaxher Regjional i lënë U.D. ngaqë bllokohet procesi i punës, 1 menaxher/e i TI dhe SI, i cili ka mbartur më herët gradën 13 por me vendimin e uljes së pagave nga Bordi paraprak nuk është paraparë grada 13 (pra nuk ekziston) andaj i njëjti është sistemuar në gradën 14. 1 prej tyre drejtor menaxhues i IFJB-së i cili ka kontratë, jo sipas procedurave të brendshme apo konkursit”, thuhet në përgjigje.

Në po këto përgjigje të Postës dhënë për KALLXO.com thuhet se nga rekomandimi i Bordit preket edhe një këshilltar për çështje afariste i kryeshefit i cili ka kontratë jo sipas procedurave të brendshme apo konkursit.

Një tjetër i prekur është edhe një menaxher i Departamentit të Shitjes, i cili ka kontratë por jo sipas procedurave të brendshme apo konkursit dhe 82 punëtorë që kanë kontrata në kuadër të konkurseve të brendshme apo të procedurave të risistemimeve konform Aktit të Brendshëm të Postës së Kosovës.

Nga ky rekomandim do të preket edhe vëllai i asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje Alban Krasniqi, Shkumbin Krasniqi për të cilin KALLXO.com raportoi se nga postieri ishte avancuar zyrtar për kujdes ndaj konsumatorëve.

Posta e Kosovës ka treguar edhe të gjitha pozitat ku do të rishikohen avancimet dhe ato janë: menaxher i Departamentit të Shitjes, menaxher i TI dhe SI, kontrollorë të Zyrës Postare, arkëtar i Zyrës Postare, zyrtar për marrëdhënie me dogana, kartues, arkëtar kryesor, punëtorë sporteli, kontrollor të shpërndarjes, përgjegjës të zyrës postare komunale, vozitës apo këmbyes, administrator për mirëmbajtjen, depo dhe logjistikë, depoisit i materialeve të shërbimeve postare, zyrtar financiar, udhëheqës i ekipit për ‘Help Desk’ dhe Depos së TI dhe SI, teknik në Postën Hibride, arkëtar regjional, zyrtar për përpunimin artistik të produkteve filiatelike, zyrtar financiar regjional, këshilltar për çështje afariste të kryeshefit, drejtor menaxhues i IFJB-së, menaxher i kontabilitetit dhe financave, U.D i menaxherit regjional, verifikues/ regjistrues, verifikues/ regjistrues për marrëdhënie me Dogana, verifikues për letërpostën në PN/QTP, zyrtarë i shitjes, administrator i thesarit për transfere bankare, zyrtar për afirmim dhe trajtim të konsumatorëve, menaxher i SASP-PK, zyrtar i shitjes, marketingut dhe KNK-së, zyrtar i lartë për reklamim dhe dëmshpërblim, admin i zhvillimit dhe përkrahjes së aplikacioneve, operator në ‘Help Desk’, zyrtar për transfere, koordinator për paga dhe benifite, vozitës të kryeshefit, kontrollor i brendshëm, asistente në zyrën e kryeshefit dhe zyrtarit të Kujdesit ndaj Konsumatorëve.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme raportoi për rekomandimin e Bordit Drejtues të Postës.

“Rekomandohet menaxhmenti ekzekutiv, U.D. kryeshefi ekzekutiv, që të kthej në pikën zero të gjitha risistemimet që kanë ndodhur në tetë (8) muajt e fundit”, thuhet në shkresën e Bordit të përkohshëm të Postës.

Kryesuesja e bordit Safije Beseni, për KALLXO.com ka thënë se është kërkuar nga menaxhmenti që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës (nr.02/39 të datës 3 qershor 2020), i cili thotë që “të gjithë ndërmarrjet publike qendrore duhet të ushtrojnë kujdes që shpenzimet operative dhe punësimet e reja të mos cenojnë likuiditetit e ndërmarrjes”.

Bordi Drejtues i Postës së Kosovës përbëhet nga Zafije Beseni, kryesuese ndërsa anëtarë do të jenë: Sebahate Krasniqi, Genc Rama dhe Naim Haliti.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditëve të fundit për disa anvancime e kontrata të reja që janë nënshkruar nga kryeshefi i Postës së Kosovës, Rafet Jashari.

KALLXO.com fillimisht ka raportuar për angazhimin e dy këshilltarëve nga e U.D. kryeshefi Rafet Jashari. Përveç kësaj, KALLXO.com ka raportuar edhe për avancimin e pesë personave përmes procedurave të konkursit të brendshëm.

Në mesin e të avancuarve ishte edhe Shkumbin Krasniqi, vëllai i asamblistit të LVV-së, Alban Krasniqit në Malishevë njëherësh kunati i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Shkumbin Krasniqi ishte avancuar nga postieri me gradën 3 në pozitën zyrtar për kujdes ndaj konsumatorëve, që ka gradën 7.

E pyetur nga KALLXO.com kryesuesja e Bordit të përkohshëm të Postës, Safija Beseni, më 23 qershor kishte thënë se Bordi nuk ka pas informata për këto avancime.

Mbledhja e Bordit në të cilën është kërkuar kthimi në pikë zero i gjitha risistemimeve që kanë impakt financiare, pra gradime, është mbajtur me datën 25 qershor 2021.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga menaxhmenti i Postës për numrin e avancimeve që do të preken nga rekomandimi i bordit të përkohshëm të Postës, por deri në publikim të artikullit nuk kemi pranuar përgjigje.

Vëllai i asamblistit të Vetëvendosjes avancohet në Postë