Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

'Posta e Kosovës' ndau 266 mijë euro për blerjen e 7 veturave

Shtatë vetura të transportit të dërgesave postare, Ndërmarrja Publike “Posta e Kosovës” Sh.A., planifikon t’i blejë për nevoja të saj. Ndërmarrja publike, kërkon që veturat të jenë me kilometrazhë zero dhe jo më të vjetra se të vitit 2022.

Nëpërmjet platformës elektronike për prokurim publik në Kosovë “e prokurimi”, ndërmarrja publike ka hapur tender, ku ka parashikuar të nënshkruaj kontratë në vlerë deri 266,000 euro.

Sipas njoftimit për kontratë, kohëzgjatja e kontratës parashihet të jetë 365 ditë.

Në këtë aktivitet të prokurimit u përdor procedura e hapur, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Data 6 mars është caktuar edhe afati deri kur duhet të aplikojnë kompanitë e interesuara për këtë tender.

Çfarë vetura planifikon të blejë “Posta e Kosovës” Sh.A.

Sipas kërkesave në dosjen e tenderi, autoriteti kontraktues “Posta e Kosovës” Sh.A, kërkon që veturat duhet të jenë të reja me kilometra 00 dhe duhet të jet viti i prodhimit jo me i vjetër se 2022, duke renditur kështu specifikat, në mes tjerash si: vëllimi i motorit duhet te jete nga 2.0 deri ne 2.5mm3 – Dizel, gjatësia minimale duhet te jete nga 5400mm deri ne 5700mm, automjeti duhet të ketë hapësirë ngarkuese të mbyllur, pa dritare.., e kështu me radhë me specifika të tjera të kërkuara.

Veturat kërkohen të jenë me ngjyrë të verdhë apo të bardhë.

Ndryshe, në bazë të numri të veturave të kërkuara dhe vlerës së parashikuar për kontratë deri 266,000 euro, “Posta e Kosovës” Sh.A. është gatshme të paguaj deri 38 mijë euro për një të tillë.