Ambasadori i SHBA-së dhe ai i Shqipërisë bëjnë homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku

Ambasadori i  Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka bërë homazhe te varri i Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku në njëvjetorin e rënies së tij.

Pjesëmarrës ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Ndërsa, pas vizitës te familja, edhe kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te varri i heroit.

Përveç tyre, homazhe kanë berë edhe ministra të Qeverisë së Kosovës, deputetë të Kuvendit, zyrtarë të EULEX-it, e qytetarë të shumtë.

 

Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Banjskë të Zveçanit njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së Banjskës në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.

Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.

Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.