Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier

Ambasadori amerikan: Askush nuk është i interesuar për 'Republika Sërpska' në Kosovë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë të dhënë për RTK deklaroi se askush nuk është i interesuar për formimin e një “Republika Sërpska”.

Hovenier thotë se i takon Kosovës të vendosë se si do të veprojë lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sepse siç tha ai, SHBA-ja pret që Qeveria e Kosovës t’iu përmbahet zotimeve që i ka marrë.

“Jam i vetëdijshëm për shqetësimet për një Republika Sërpska tjetër.  Askush nuk është i interesuar për këtë.  Kjo nuk i ndihmon Kosovës. Nuk është e dobishme. Por, ka disa përfitime sa i përket koordinimit.  Dhe pika e fundit për këtë: Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë një Asociacion i komunave me shumicë serbe. Siç e thashë ishte element (edhe pse jo me atë emër) në procesin e Ahtisarit dhe pastaj, natyrisht edhe në procesin e Brukselit dhe marrëveshja e Brukselit i referohet specifikisht asaj”, ka deklaruar ambasadori amerikan.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen e Brukselit më 19 prill 2013. Një pjesë e kësaj marrëveshje i kushtohet formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në vitin 2015, palët kishin arritur edhe një marrëveshje për parimet e themelimit të këtij Asociacioni.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se “sipas Kushtetutës së Kosovës nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike”.