Aliu: Kemi pezulluar projektin për ndërtimin e një incerneratori, do të digjeshin 100 mijë ton mbeturina në vit

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se ministria e tij ka pezulluar një projekt për ndërtimin e një incerneratori, sipas të cilit, do të digjeshin 100 mijë ton mbeturina në vit, për përfitimin e energjisë.

Në një konferencë për media, Aliu tha se ky incernerator ishte planifikuar të ndërtohej në fshatin Varosh të Ferizajt.

“E kemi shikuar dhe e kemi parë që në dhjetor të vitit të kaluar ka pasur pëlqim mjedisor për incernerator në Varosh të Ferizajt dhe që nënkupton djegien e mbi 100 mijë ton mbeturianve në vit, dhe duke e njohur gjeografinë e vendit, e kuptova që shumë vështirë është me gjet lokacion të tillë në vendin tonë i cili nuk ka me pasë ndonjë ndikim tek qyetetarët” – ka thënë Aliu.

“E kemi marrë e kemi shiku raportin e vlerësimit të ndikimi në mjedis, që e lëshon kompania e licencuar, në bazë të cilit pajiset me pëlim mjedisor kompania. E kemi parë që objekti është 3 mijë metra larg vendbanimeve”.

Sipas tij, kjo ka nxitur që të fillojë një proces auditimi për projektin në fjalë dhe është kuptuar, sipas Aliut, që raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis nuk ishte i saktë.

“Në auditim gjejmë edhe shkelje të tjera dhe fatmirësisht përfundon si rast deri tani me pezullimin e pëlqimit mjedisor. Natyrisht kur kemi projekte të tilla, para se të vi ideja për një projekt të tillë për trajtimin e mbeturinave, është një proces që do duhej të përfshiheshin edhe shoqëria civile, edhe qytetarët, të ketë edhe studime e strategji të mirëfillta, gjë që në ministrinë tonë në strategjinë për trajtimin e mbeturinave nuk ekziston Akoma një ide për tratjimin e mbeturinave për me prodhu energji” – ka thënë Aliu para gazetarëve.

Ministri ka bërë të ditur se kompania private në maj të këtij viti, ka shkuar në ministri dhe ka kërkuar që të prezantojë projektin, me qenëse paraprakisht kishin marrë pëlqim nga ministria. Sipas tij, kompania kishte marrë edhe leje ndërtimore nga Komuna e Ferizajt.

Ministri Aliu tha se si ide është e mirë, por që sipas tij, duhet të bëhet një studim i mirëfilltë për një projekt të tillë.