Alicia Kearns, Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Alicia Kearns: Nëse ka ndonjë vend që duhet t’i nënshtrohej masave, ajo është Serbia

Deputetja britanike, Alicia Kearns kërkon që të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës, ngase siç vlerëson ajo, këto masa janë të padrejta dhe nuk është dashtë të vendosen fare.

Në këndvështrimin e saj, ndëshkime do duhej të kishte ndaj Serbisë, e jo Kosovës.

Kearns cilëson që një vend si Kosova që ka forcat e saj ushtarake e policore e megjithatë u përball “me banditë të armatosur dhe të paguar përreth zyrave të tyre komunale dhe u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe ju kidnapuan tre policë në një rast tjetër, është e paarsyeshme të ndëshkohet nga Bashkimi Evropian.

“Nëse ka ndonjë vend që duhet t’i nënshtrohej këtyre masave ajo është Serbia, por se çfarë po themi ne është që duhet të ekzistojë baraspesha dhe drejtësia nëse duam të sigurojmë paqe dhe kjo nuk mund të ndodhë nëse njëra palë i nënshtrohet masave negative” – tha Kearns në një intervistë për KALLXO.com.

Që nga 28 qershori, Bashkimi Europian ka aplikuar sanksione ndaj Kosovës në lidhje me “situatën e krijuar në veri dhe vendimin e autoriteteve për të mos u koordinuar me partnerët europianë për uljen e tensioneve”.

Tensionet ndëretnike ishin ngritur që nga 24 maji, kur kryetarët shqiptarë të katër komunave të veriut ishin vendosur në objektet komunale në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Kryesues të Komisioneve të Punëve të Jashtme të parlamenteve të 12 vendeve europiane kanë kërkuar të hiqen të gjitha masat negative të vendosura ndaj Kosovës dhe që të rinisë bashkëpunimi i plotë me Qeverinë e Kosovës.

Kjo deklaratë e përbashkët është nënshkruar edhe nga Alicia Kearns.

Kryesuesit një gjë të tillë e kërkuan përmes një deklarate të përbashkët drejtuar Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe zëvendëspresidentit të Komisionit Europian, Josep Borrell dhe përfaqësuesit special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, më 13 dhjetor.

Drejtuesit e komisioneve parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë, Lituanisë, Letonisë, Estonisë, Kroacisë, Çekisë, Republikës së Irlandës, Belgjikës, Bullgarisë dhe Danimarkës, theksojnë në këtë letër se bojkotimi i zgjedhjeve komunale të 23 prillit me kërkesë të Listës Serbe, sulmi ndaj KFOR-it më 29 maj, ndalimi i paligjshëm i zyrtarëve policorë të Kosovës nga autoritetet serbe më 14 qershor, dhe sulmi në Banjskë më 24 shtator zbulojnë një skemë agresioni që ka për synim minimin dhe destabilizimin e Kosovës.

Kearns rithërret që të hiqen këto sanksione, që sipas saj as vetë bashkësia ndërkombëtare nuk mund të shpjegojnë se pse Kosovës i janë vendosur këto masa negative dhe nuk mund të shpjegojnë pse ato ende vazhdojnë të jenë në fuqi.

Heqjen e masave ndaj Kosovës, Kearns e cilëson si një qasje të baraspeshuar dhe si shenjë e besimit të mirë.