Aktakuza për 400 kg kokainë – Avokati propozon ekzaminim psikiatrik të klientit të tij

Në Gjykatën e Prishtinës, pas gati një orë vonesë, është shtyrë gjykimi për rastin e 400 kg kokainë që ishin kapur në oborrin e një kompanie private në hyrje të Lipianit në maj të vitit 2021. Kokaina kishte qenë e kamufluar në paketim të mishit të pulës në kamionin i cili po e bartte atë.

Fillimisht prezent në sallë nuk ishte i akuzuari Fehmi Bytyqi, të cilin me përcjellje  policore është sjellë me një orë vonesë. Tutje, gjykimi filloi me një propozim të mbrojtësit të akuzuarit Kadri Sheqiri, avokati Xhafer Maliqi.

Avokati kërkoi që për të mbrojturin e tij të bëhet ekzaminimi psikiatrik,

Këtë deklarim të Maliqit, nuk e kundërshtoi i akuzuari Sheqiri, as mbrojtësit e tjerë që përfaqësojnë palët në procedurë.

Kundër këtij propozimi të Maliqit ishte prokurori i prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, i cili tha se vizitat mjekësore të më hershme nga i akuzuari kanë qenë të planifikuara.

“Një propozim të tillë e kundërshtojmë fuqishëm pasi për shkak se nuk është aspak nuk është real, siç e kam thënë ashtu edhe qysh e lexoj avokati se vizitat mjekësore nga i pandehuri Kadri Sheqiri në klinikën e psikiatrisë kanë qenë të planifikuara dhe për ndonjë qëllim të vetëm për tu konsideruar kinse me probleme shëndetësore” – tha Gashi.

Këtë propozim të mbrojtësit Maliqi, e aprovoi trupi gjykues me në krye Musa Konxhelin si kryetar, Valbona Musliu-Selimaj dhe Valon Kurtaj, anëtarë.

“Trupi Gjykues merr vendim, aprovohet propozimi i avokatit, Xhafer Maliqi i mbështetur edhe nga avokatët e tjerë urdhërohet ekzaminimi psikiatrik i të pandehurit Kadri Sheqiri në klinikën e neuropsikiatrisë në QKUK me arsyen se të njëjtit nuk janë kompetent apo të autorizuar ta vlerësojnë qoftë shkresën profesionale të lëshuar nga mjeket psikiatër për të pandehurin Kadri Sheqiri me datën 02.11.2022 dhe gjithashtu nuk janë kompetent për ta vlerësuar gjendjen apo shëndetin mendor të të pandehurit. Andaj vlerësojmë se është e domosdoshme që i njëjti të konstatohet gjendja e tij e shëndetit mendor të konstatohet nga ekipi profesionist”- tha kryetari i turpit gjykues, Musa Konxheli.

Në këtë rast seanca e sotme u ndërpre duke i anuluar edhe dy seancat e tjera të cilat ishin të përcaktuara.

Propozim të ngjashëm kishte dhënë mbrojtësi Maliqi edhe në seancën e 11 tetorit.

Të akuzuar pos Kadri Sheqirit janë, Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi.

Të akuzuar të tjerë kishin qenë edhe Naim Morina e Hyzri Sheqiri për pengim të procedurës penale, gjë për të cilën kishin pranuar fajësinë e më pas ishin dënuar nga Gjykata e Prishtinës.

Në muajin maj të vitit 2021, 400 kilogramë drogë të llojit kokainë ishin kapur në oborrin e një kompanie private në hyrje të Lipjanit.

Kokaina kishte qenë e kamufluar në paketim të mishit të pulës në kamionin i cili po e barte atë.

Në atë kohë, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kishte thënë se sipas informatave dërgesa ishte nisur nga Brazili.

Sipas aktakuzës  gjatë janarit të vitit 2022 në Prishtinë, Morina dhe Hyzri Sheqiri  në bashkëkryerje kanë planifikuar të ndërmarrin veprime konkrete për pengimin e  të provuarit në çështjen penale ndaj Izet Sheqirit dhe të tjerëve për veprën penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal si dhe blerje dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve.

Sipas pikës tre të aktakuzës Morina dhe Sheqiri me qellim që të ndikojnë në këtë proces kanë planifikuar dhe kanë përdorur metoda specifike për të bërë të pamundur qasjen e organeve të drejtësisë në dëshmitarin bashkëpunues.

Të pandehurit kanë planifikuar që të njëjtin ta largojnë jashtë shtetit të Kosovës në drejtim të njërit nga shtetet fqinje pastaj për ta nxitur që ta ndryshoj dëshminë e dhënë si dëshmitar bashkëpunues.

Tutje të njëjtit kanë shtyrë dëshmitarin bashkëpunues që të realizoj vizita mjekësorë në klinikën e psikiatrisë në QKUK për të konsideruar se gjoja i njëjti është i sëmurë psikik.

Për këto veprime I pandehuri Hyzri Sheqiri i ka dhënë para në shumë prej 20 mijë euro të pandehurit Naim Morina.

Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale pengim të provuarit apo procedurës zyrtare.