Dosja për 400 kg kokainë, 7 muaj burg për njërin nga të akuzuarit

Hyzri Sheqiri, i akuzuar për pengim të procedurës penale në rastin e 400 kg kokainë të gjendur në Lipjan, një kamion që transportonte mish të pulës, arriti marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale.

Gjykata e dënoi me burg efektiv në kohëzgjatje prej 7 muajsh.

“Pas shqyrtimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë Speciale dhe të pandehurit, të njëjtën marrëveshje e pranon gjykata, gjithashtu e pranon edhe dënimin e propozuar prej 7 muajsh meqë e keni arritur vullnetarisht, dënimi do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë, qëndrimi në paraburgim do të llogaritet në dënim” – tha gjyqtari i rastit Musa Konxheli.

Gjyqtari po ashtu me këtë vendim e ndërpreu masën e paraburgimit ndaj tani të dënuarit Hyzri Sheqiri.

I njëjti akuzohet se veprën e kreu në bashkëkryerje me të akuzuarin tjetër në këtë rast Naim Morina.

Në fillim të dhjetorit njëri nga të akuzuarit Naim Morina në rastin e 400 kg kokainë të gjetur në Lipjan pranoi fajësinë, pas arritjes së marrëveshjes me Prokurorinë dhe u dënua nga Gjykata e Prishtinës me 6 muaj burg efektiv.

Në seancën e sotme, të mbajtur për të trajtuar marrëveshjen e fajësisë, prokurori deklaroi se ka arritur marrëveshje me të akuzuarin Sheqiri dhe i propozoi gjykatës që të njëjtin ta dënoi me 7 muaj burg efektiv.

Në muajin maj të vitit 2021, 400 kilogramë drogë të llojit kokainë ishin kapur në oborrin e një kompanie private në hyrje të Lipjanit.

Kokaina kishte qenë e kamufluar në paketim të mishit të pulës në kamionin i cili po e bartte atë.

Në atë kohë, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kishte thënë se sipas informatave dërgesa ishte nisur nga Brazili.

Sipas aktakuzës, gjatë janarit të vitit 2022 në Prishtinë, Morina dhe Hyzri Sheqiri në bashkëkryerje kanë planifikuar të ndërmarrin veprime konkrete për pengimin e të provuarit në çështjen penale ndaj Izet Sheqirit dhe të tjerëve për veprën penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal si dhe blerje dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve.

Sipas pikës tre të aktakuzës, Morina dhe Sheqiri me qëllim që të ndikojnë në këtë proces kanë planifikuar dhe kanë përdorur metoda specifike për të bërë të pamundur qasjen e organeve të drejtësisë në dëshmitarin bashkëpunues.

Të pandehurit kanë planifikuar që të njëjtin ta largojnë jashtë shtetit të Kosovës në drejtim të njërit nga shtetet fqinje pastaj për ta nxitur që ta ndryshojë dëshminë e dhënë si dëshmitar bashkëpunues.

Tutje të njëjtit kanë shtyrë dëshmitarin bashkëpunues që të realizojë vizita mjekësore në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK për të konsideruar se gjoja i njëjti është i sëmurë psikik.

Për këto veprime i pandehuri Hyzri Sheqiri i ka dhënë para në shumë prej 20 mijë euro të pandehurit Naim Morina.

Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale pengim të provuarit apo procedurës zyrtare.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK