Seanca gjyqësore ndaj Naim Morinës, i akuzuar në rastin e 400 kg kokainë (05.12.2022), Foto: KALLXO.com

Rasti i 400 kg kokainë në Lipjan, Gjykata vendos për njërin nga të akuzuarit

Gjykata e Prishtinës e ka dënuar me 6 muaj burg efektiv njërin nga të akuzuarit në rastin e 400 kg kokainë që janë kapur në Lipjan në vitin 2021.

Naim Morina është dënuar nga Gjykata pas arritjes së marrëveshjes për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale.

Marrëveshja për pranim të fajësisë u konsiderua nga gjykata se është arritur konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale.

Procedura penale ndaj Naim Morinës u veçua nga pjesa tjetër e të akuzuarve për rastin e 400 kg kokainë pasi që Morina kishte pranuar fajësinë për pikën tre të aktakuzës.

Në muajin maj të vitit 2021, 400 kilogramë drogë të llojit kokainë ishin kapur në oborrin e një kompanie private në hyrje të Lipjanit.

Kokaina kishte qenë e kamufluar në paketim të mishit të pulës në kamionin i cili po e bartte atë.

Në atë kohë, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kishte thënë se sipas informatave dërgesa ishte nisur nga Brazili.

Sipas aktakuzës, gjatë janarit të vitit 2022 në Prishtinë, Morina dhe Hyzri Sheqiri në bashkëkryerje kanë planifikuar të ndërmarrin veprime konkrete për pengimin e të provuarit në çështjen penale ndaj Izet Sheqirit dhe të tjerëve për veprën penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal si dhe blerje dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve.

Sipas pikës tre të aktakuzës, Morina dhe Sheqiri me qëllim që të ndikojnë në këtë proces kanë planifikuar dhe kanë përdorur metoda specifike për të bërë të pamundur qasjen e organeve të drejtësisë në dëshmitarin bashkëpunues.

Të pandehurit kanë planifikuar që të njëjtin ta largojnë jashtë shtetit të Kosovës në drejtim të njërit nga shtetet fqinje pastaj për ta nxitur që ta ndryshojë dëshminë e dhënë si dëshmitar bashkëpunues.

Tutje të njëjtit kanë shtyrë dëshmitarin bashkëpunues që të realizojë vizita mjekësore në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK për të konsideruar se gjoja i njëjti është i sëmurë psikik.

Për këto veprime i pandehuri Hyzri Sheqiri i ka dhënë para në shumë prej 20 mijë euro të pandehurit Naim Morina.

Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale pengim të provuarit apo procedurës zyrtare.