Pallati i Drejtësisë/ Foto-Urim Krasniqi

Gjykimi për 400 kg kokainë, avokati i njërit të akuzuar thotë se klienti i tij ka sjellje devijante

Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet seanca për rastin e 400 kg kokainë që ishin kapur në oborrin e një kompanie private në hyrje të Lipianit në maj të vitit 2021. Kokaina kishte qenë e kamufluar në paketim të mishit të pulës në kamionin i cili po e bartte atë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Kadri Sheqiri, avokati Xhafer Maliqi i quajti devijante sjelljet e të mbrojturit të tij, i cili në këtë seancë mungoi, pa paralajmërim.

Si pasojë e mos prezencës së tij në gjykatore, seanca e paraparë të mbahet sot, dështoi.

Avokati i tij tha se ka provuar mbi 10 herë të kontaktoj me Sheqirin përmes telefonit, por i njëjti nuk i është përgjigjur.

“Që nga dita e parë, kam vërejtur sjellje devijante të klientit tim…, sa i përket mungesës së sotme, unë kam kontaktuar personalisht me telefon ditën e djeshme dhe nga biseda kam konkluduar që diçka nuk është në rregull…. Unë nuk mujta me kontaktu as sot në telefon me të, provova 10 herë në telefon por telefoni i tij nuk ka qasje” – tha avokati.

Për dallim prej Sheqirit të pranishëm në sallë ishin të akuzuarit e tjerë, Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi.

Izet Sheqiri, Vajllolli dhe Brahimi gjendën nën masën e paraburgimit, kurse në arrest shtëpiak gjendet Fehmi Bytyqi.

Në këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore për të proceduar tutje, seanca dështoi. Trupi gjykues në përbërje prej Musa Konxheli- Kryetar, Valon Kurtaj dhe Valbona Musliu-Selimaj anëtarë, njoftuan palët se për të akuzuarin Sheqiri që mugoi sot do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua me 16 tetor të këtij viti.

Në këtë rast të akuzuar kishin qenë edhe Naim Morina e Hyzri Sheqiri për pengim të procedurës penale, gjë për të cilën kishin pranuar fajësinë e më pas ishin dënuar nga Gjykata e Prishtinës.

Në muajin maj të vitit 2021, 400 kilogramë drogë të llojit kokainë ishin kapur në oborrin e një kompanie private në hyrje të Lipjanit.

Kokaina kishte qenë e kamufluar në paketim të mishit të pulës në kamionin i cili po e barte atë.

Në atë kohë, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kishte thënë se sipas informatave dërgesa ishte nisur nga Brazili.

Sipas aktakuzës  gjatë janarit të vitit 2022 në Prishtinë, Morina dhe Hyzri Sheqiri  në bashkëkryerje kanë planifikuar të ndërmarrin veprime konkrete për pengimin e  të provuarit në çështjen penale ndaj Izet Sheqirit dhe të tjerëve për veprën penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal si dhe blerje dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve.

Sipas pikës tre të aktakuzës Morina dhe Sheqiri me qellim që të ndikojnë në këtë proces kanë planifikuar dhe kanë përdorur metoda specifike për të bërë të pamundur qasjen e organeve të drejtësisë në dëshmitarin bashkëpunues.

Të pandehurit kanë planifikuar që të njëjtin ta largojnë jashtë shtetit të Kosovës në drejtim të njërit nga shtetet fqinje pastaj për ta nxitur që ta ndryshoj dëshminë e dhënë si dëshmitar bashkëpunues.

Tutje të njëjtit kanë shtyrë dëshmitarin bashkëpunues që të realizoj vizita mjekësorë në klinikën e psikiatrisë në QKUK për të konsideruar se gjoja i njëjti është i sëmurë psikik.

Për këto veprime I pandehuri Hyzri Sheqiri i ka dhënë para në shumë prej 20 mijë euro të pandehurit Naim Morina.

Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale pengim të provuarit apo procedurës zyrtare.