Aktakuza e Speciales: Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi akuzohen për krime lufte

Përmes një komunikate për media, Dhomat e Specializuara të njohur si Gjykata Speciale, ka dhënë detaje për atë se çka akuzohen ish udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Sipas kësaj komunikate, aktakuza ndaj katërshes udhëheqëse të UÇK-së është konfirmuar me 26 tetor 2020, por që nuk ishte bërëe publike.

Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.

“Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”, thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj komunikate, ndër viktimat, përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, si: serbë, romë dhe ashkalinj; katolikë; civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritet serbe; shqiptarë që ishin anëtarë ose përkahës të LDK-së ose të partive të tjera; shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së.

Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet  se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë.

“Në kohën e duhur do të jepet informacion për datën dhe orarin e paraqitjeve të para të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, para gjykatësit të procedurës paraprake”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Speciale.