Aksioni i IPK kundër korrupsionit, të dyshuar edhe doganierë

Një numër i madh i zyrtarëve policor kufitar janë të dyshuar për dy vepra penale keqpërdorim të detyrës zyrtare e marrje ryshfeti.

Të njëjtit kanë rënë në pranga të Inspektoratit Policor të Kosovës nën dyshimet se veprat penale i kanë kryer gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Burime brenda Prokurorisë Speciale kanë thënë për KALLXO.com se në aksionin e sotëm pritet të ketë të arrestuar edhe zyrtarë të Doganës së Kosovës, më saktësisht doganier.

Aksioni i Inspektoratit Policor të Kosovës po zhvillohet në dy pika kufitare dhe në stacionin kufitar të në Gjakovë.

IPK me anë të një njoftimi ka thënë se hetimi për aksionin kundër korrupsionit që po zhvillohet që nga orët e hershme të mëngjesit është hetuar për gati 1 vit.

KALLXO.com mëson se IPK ka siguruar materiale të rëndësishme të cilat vërtetojnë dyshimet se zyrtarët policor kufitar në Rajonin e Gjakovës dhe në disa pika kufitare dyshohen se kanë marrë ryshfet deri sa ishin në kryerje të detyrës.

Gjithashtu IPK ka njoftuar se në hetim të këtij rasti janë përdorur edhe masa të ndryshme të fshehta të hetimit.

KALLXO.com raportoi se cak i IPK-së në aksionin e sotëm janë mbi 50 zyrtarë policor të Departamentit Kufitar të Policisë së Kosovës.