Përfundon seanca ndaj të tre të dyshuarve për rezervat shtetërore, Prokuroria kërkon paraburgim
Ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj tre të dyshuarve për keqpërdorim të rezervave shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Prokuroria e shtetit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.
Caktimin e masës së paraburgimit e ka kundërshtuar mbrojtja e tre të dyshuarve, ku kanë propozuar lirimin apo caktimin eventualisht të ndonjë mase tjeër.
Ndërsa vendimi pritet të merret nga gjyqtaraja e procedurës paraprake, Suzana Çerkini.
Prokurorisë Speciale e Kosovës ka njoftuar se nga aksioni i djeshëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në pranga kanë përfunduar 3 persona të dyshuar.
Ata janë arrestuar nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet R.M. H.G dhe I.L”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Tutje, Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.
Të njëjtit, sipas njoftimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.
Ditën e djeshme, Policia kishte aksion në MINT dhe në pronat e Ridvan Muharremit, i cili më vonë edhe u arrestua.
Këto bastisje vijnë pas një publikimi të një audioincizimi të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.