Foto nga transportimi për Tiranë i minatorit të plagosur/ Foto: BIRN

Aksident në minierë, lëndohet një minator në Bulqizë

Një minator 40 vjeç u transportua me urgjencë në kryeqytet pasi mori plagë të rënda gjatë një aksidenti në punë në një galeri minerare në zonën e Bulqizës.

Policia e Bulqizës njoftoi se aksidenti ndodhi në orën 11.30 në një galeri kromi në Bulqizë. Policia nuk ka dhënë detaje për rrethanat e ngjarjes dhe as për kompaninë që punësonte minatorin. Sipas saj minatori i cili u transportua me helikopter për në Tiranë, po merr ndihmë mjekësore  dhe është “jashtë rrezikut për jetën”.

BIRN mësoi se i plagosuri është Rasim Laçi, 40 vjeç me banim në njësinë administrative Shupenzë në bashkinë Bulqizë.

I plagosuri fillimisht është dërguar në spitalin e Bulqizës ku dhe ka marrë ndihmën e parë. BIRN mësoi se për shkak të plagëve mjekët e këtij spitali kanë njoftuar helikopterin dhe e kanë transportuar minatorin në kryeqytet pasi kërkohet mjekim i specializuar.

Galeritë e Bulqizës janë një prej zonave me më shumë aksidente të rënda në punë në Shqipëri sipas të dhënave nga Inspektorati i Punës./ Reporteri.al