Ilustrim

Aksident i rëndë në autostradë, shtatë të lënduar

Shtatë persona kanë marrë lëndime trupore pas një aksidenti që ka ndodhur në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

Kelani tha se në aksident kanë qenë të përfshira një automjet dhe një kamion.

“Mund të konfirmojmë se, pak para orës 13:00 në Autostradën Ibrahim Rugova, në zonën e Malishevës ka ndodhur një aksident trafiku, ku janë përfshirë një automjet dhe një kamion. Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e deritanishme, shtatë persona kanë pësuar lëndime. Njësitet relevante policore janë duke  u marrë me rastin”, tha Kelani për KALLXO.com.

Në bazë të një fotografie të cilën e ka publikuar edhe Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë (dëshmitar i aksidentit), shihet se vetura e cila ka qenë e përfshirë në aksident ka dëmtime të mëdha.

Zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti në mbishkrimin e kësaj foto kishte treguar se së bashku me disa persona të tjerë kishin nxjerrë nga vetura pesë anëtarë të një familjeje.

“Dëshmitar i një aksidenti të tmerrshëm në autostradën “Ibrahim Rugova”. Fati ishte në anën e një familjeje 5 anëtarëshe nga Mitrovica, të cilët i nxorrëm të gjallë nga vetura dhe pas ndihmës së parë në vendngjarje, u dërguan për ekzaminime e mjekim të mëtejmë në Malishevë e Prizren. Shpresojmë që i shpëtuan më të keqes”, ka shkruar Hoti në Facebook.