Foto: Arkiv

Akreditohen rreth 360 vëzhgues për zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për akreditim e rreth 360 vëzhguesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendet e Komunave: Zveçan dhe Leposaviq.

Për zgjedhjet e së dielës do jenë 31 organizata vëzhguese me 357 vëzhgues.

Në mbledhjen e mbajt sot, Burim Ahmetaj kryeshef ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, njoftoi edhe për përgatitjet që janë duke u bërë për vendosjen e vetvotimeve mobile.

“Ky proces është në proces të rregullimit të hapësira e dhe është në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe MPB-në, çdo qendër do t`i ketë 2 kontejner me hapësirë 5 metra dhe 6. Pas takimit që do ta kemi edhe në kuadër të sigurisë do të fillojmë edhe me funksionalizimin e qendrave të votimit dhe vendosjen e informatave për ato qendra të Votimit”- tha Ahmetaj.

Tutje Ahmetaj njoftoi që ky është një proces që nuk mund të kryhet brenda ditës sepse bëhet fjalë për 26 kontejner.

“Vendosje e kontejnerëve nuk mund të bëhet përnjëherë, sepse është një numër i madh, janë 26 kontejnerë. Pastaj do të shkojmë dhe të konstatojmë nëse është sipas kërkesave të KQZ-së, nuk është një proces që mund të kryhet brenda një ditë”- tha tutje ai.

Vendosja e kontenjerëve në oborre të stacioneve policore ka filluar dje, ndërsa zgjedhjet do të mbahen të dielën.

Këto zgjedhje janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe. Lista Serbe ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të “pasojave të dhunës së vazhdueshme institucionale”, të cilat “i zbaton regjimi i Albin Kurtit”.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku kanë mbetur pa kryetar të komunave që nga nëntori i vitit të kaluar, kur kryetarët e këtyre komunave që qeveriseshin nga Lista Serbe braktisën institucionet e Kosovës për shkak vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat e automjeteve, që nga autoritetet e Kosovës konsiderohen ilegale.

Këto zgjedhje u caktuan më 18 dhjetor 2022, mirëpo mbajtja e tyre ishte pamundësuar për shkak të përshkallëzimit të situatës më 10 dhjetor 2022, datë në të cilën u arrestua ish-polici Dejan Pantiq, nën dyshimet se kishte marrë pjesë në një sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut.

Veriu kohëve të fundit ka qenë cak i disa incidenteve, me ç’rast janë djegur disa vetura me targa zyrtare të Republikës së Kosovës.

VIDEO – Vendosen kontejnerët për zgjedhjet në komunat në veri të Kosovës