Foto: KALLXO.com

VIDEO - Vendosen kontejnerët për zgjedhjet në komunat në veri të Kosovës

Në stacionet policore në veri të Kosovës ka nisur vendosja e kontejnerëve të cilët do të përdoren si vendvotime për zgjedhjet që do të mbahen këtë të diel.

KALLXO.com mëson se nga dje ka nisur bartja e këtyre kontejnerëve drejt komunave me shumicë serbe në veri të vendit, ndërsa sot janë vendosur nëpër stacione policore.

Këto zgjedhje janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe.

Lista Serbe ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të “pasojave të dhunës së vazhdueshme institucionale”, të cilat “i zbaton regjimi i Albin Kurtit”.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku kanë mbetur pa kryetar të komunave që nga nëntori i vitit të kaluar, kur kryetarët e këtyre komunave që qeveriseshin nga Lista Serbe braktisën institucionet e Kosovës për shkak vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat e automjeteve, që nga autoritetet e Kosovës konsiderohen ilegale.

Këto zgjedhje u caktuan më 18 dhjetor 2022, mirëpo mbajtja e tyre ishte pamundësuar për shkak të përshkallëzimit të situatës më 10 dhjetor 2022, datë në të cilën u arrestua ish-polici Dejan Pantiq, nën dyshimet se kishte marrë pjesë në një sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut.

Veriu kohëve të fundit ka qenë cak i disa incidenteve, me ç’rast janë djegur disa vetura me targa zyrtare të Republikës së Kosovës.

Bojkoti nga Lista Serbe dhe legjitimiteti i zgjedhjeve në katër komunat në veri (kallxo.com)

(Shënim: Lajmi është edituar tek gabimi teknik ‘në veri të Mitrovicës’, dhe është zëvëndësuar me versionin e saktë ‘ në komunat veriore’. Koha e editimit të lajmit19:34 – 19 Prill 2023)