Komisioni Qendror i Zgjedhjeve- Foto: Facebook

KQZ gjobit dy parti politike për shkak të vonesave për të dorëzuar formularin me të dhëna të përditësuara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u shqiptoi më 15.02.2024 gjoba dy partive që kanë dorëzuar me vonesë formularin e të dhënave të përditësuara.

Partia Kosovskih Srba është gjobitur me 250 euro për shkak të dorëzimit të formularit pesë ditë me vonesë, ndërsa Kosova Adalet Turk Partisi është gjobitur me 500 euro për shkak të dorëzimit të formularit me tetë ditë vonesë.

Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontrollim financiar të subjekteve politike ka njoftuar se afati i partive politike për t’i dorëzuar të dhënat në KQZ ka përfunduar më 31.01.2024.

Sipas njoftimit nga ZRCKFSP, nga 50 parti politike të regjistruara në Kosovë, 46 kanë dorëzuar formularët me të dhënat e përditësuara brenda afatit, dy disa ditë me vonesë dhe dy parti nuk kanë dorëzuar ende raport.

Ndryshe, në këtë mbledhje, KQZ miratoi dy kërkesa për zëvendësimin e anëtarëve të kuvendeve komunale në komunën e Skenderajt dhe Dragashit.

Gazmend Ramadani është emëruar anëtar i Kuvendit Komunal në Dragash nga Lidhja Demokratike e Kosovës duke zëvendësuar Naser Myrtezanin.

Ndërsa Ervina Vojvoda është emëruar anëtare e Kuvendit Komunal në Skenderaj nga subjekti politik “Lista e Pavarur Bekim Jashari”, duke e zëvendësuar Fatbardha Halili Mustafën.