Qershia, Foto:REL

Agresioni rus pamundëson eksportin e qershisë së Ohrit në Ukrainë

Kultivuesit e një lloji të veçantë të qershisë që kultivohet në Maqedoninë e Veriut janë prekur ndjeshëm nga pushtimi rus i Ukrainës, duke mos qenë në gjendje ta eksportojnë prodhimin e tyre në këto dy vende.

Ata nuk kanë arritur të gjejnë tregje tjera për ta eksportuar qershinë e tyre, dhe si pasojë prodhimi i tyre ose është kalbur ose ka përfunduar në tregun vendor me një çmim dukshëm më të ulët.

Para se Rusia ta pushtonte Ukrainën në shkurt të vitit 2022, Maqedonia e Veriut eksportonte mbi 800 tonë qershi në Ukrainë dhe Rusi në vit.

Vanço Stojanovski, një bujk nga fshati Orman i Ohrit, edhe këtë vit është përballur me mungesë të tregut të jashtëm për shitjen e qershisë, e cila vlerësohet si ndër më cilësoret jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe më gjerë dhe kryesisht njihet me emrin “qershia e Ohrit”.

“Qershia është një kulturë bujqësore shumë specifike. Nëse qëndron vetëm pak ditë e mbledhur ajo prishet. Nevojiten kushte të veçanta për eksportin e saj, por ku ta dërgojmë, të gjitha dyert i kemi të mbyllura. Me Rusinë kemi sanksione pasi përmes këtij shteti ne arrinim në tregjet e Ukrainës. Ne, nuk kemi as tregje në Evropë kështu që po përballemi me katastrofë të vërtetë. Kështu ndodh tash e dy vjet, kemi dëme të mëdha”, thotë Vanço Stojanovski.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se, për dallim nga viti i kaluar kur ishin mbledhur rreth 800 tonë qershi, këtë vit prodhimi është shumë më i dobët për shkak të ndryshimeve klimatike, dhe reshjeve të shumta të shiut që i kanë dëmtuar shumë kultura bujqësore, përfshirë qershinë dhe pemë e perime tjera.

Ai dhe bujqit e tjerë në këtë rajon të pjesës jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut, prodhimet e tyre, në veçanti qershinë, i kanë eksportuar kryesisht në Ukrainë dhe Rusi, me një çmim nga 4.5 deri në 5 euro për kilogram.

Tash e dy vjet kjo është pamundësuar për shkak të sanksioneve ndaj Rusisë dhe luftës në Ukrainë. Ata nuk kanë arritur të sigurojnë as tregjet evropiane, që nënkupton se prodhimet e tyre ose janë prishur ose në sasi të vogla janë shitur në tregun vendor me një çmim deri më një euro për kilogram.

Sikur mos të mjaftonte mungesa eksportit, qershia dhe pemët e tjera kanë pësuar edhe nga ndryshimet klimatike.

Ai thotë se këtë vit bujqit janë përballur edhe me një “katastrofë natyrore”, reshje të shumta të shiut të shoqëruara edhe me breshër që i ka dëmtuar në masë të madhe pemët.

“Këtë vit kishte shumë lagështi, reshje të shumta të shiut që dëmtuan frutat. Ishte një sezon shumë i keq, jo vetëm për qershinë por edhe për pemët tjera, si mollët, dardhat, kumbullat e kështu me radhë. Më keq s’di nëse mund të ketë”, thotë Stojanovski.

Për pasojat nga mungesa e tregut për shitjen e prodhimeve bujqësore dhe ndryshimet klimatike, flet edhe Lube Pampuleski, kryetar i Shoqatës së Pemëtarisë nga rajoni i Ohrit.

“Humbjet në nivel vjetor vetëm për rajonin tonë sillen mes 15 dhe 30 milionë euro”, thotë Pampuleski.

Sipas tij, lufta në Ukrainë ka goditur rëndë gjithë sektorin e bujqësisë. Ai thotë se më parë në tregun ukrainas dhe rus janë eksportuar jo vetëm sasi të mëdha të qershisë, por edhe rreth 200 mijë tonelata mollë.

“Si asnjëherë më parë kishim një sezon të keq. Për shkak të lagështisë qershia thuajse e tëra është kalbur. Edhe ato pak sasi që kemi arritur t’i mbledhim nuk kishim se ku t’i shisnim. Tash dy vjet nuk kemi plasim në tregjet e Ukrainës dhe Rusisë, kështu që kryesisht jemi orientuar në tregun vendor pasi mungonte edhe eksporti në vendet evropiane”, tregon Pampuleski.

Ai thotë se ndihma e shtetit me subvencione nuk ka munguar, por dështimin më të madh ai e sheh në mungesën e plasmanit të prodhimeve të tyre.

“E gjithë puna u komplikua me shitjen. Ne kishim një periudhë kur morën subvencione nga Ministria e Bujqësisë që të kemi produktivitet, që të mbulojmë humbjet, e kështu me radhë, por edhe ato pak prodhime që morëm – qoftë nga pemët apo perimet – nuk kishim treg për shitje kështu që u orientuam në tregun e brendshëm dhe një pjesë tjetër ka mbetur pa shitje apo është prishur”, shprehet ai.

Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave, thonë se “zhvillimet në Ukrainë e kanë çrregulluar tregun e eksporteve, veçanërisht në fushën e perimeve dhe frutave”.

Ata theksojnë se sikurse vitin e kaluar, edhe tani janë në kontakt me të gjitha përfaqësitë diplomatike për t’u përfshirë në gjetjen e tregjeve të reja.

“Qëllimi i këtyre aktiviteteve ka për synim që prodhimet tona të mos varen vetëm nga një treg”, thonë nga Ministria e Bujqësisë./REL