Osmani shpall fitoren kundër Taravarit

Ende pa u numëruar të gjitha votat, kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nga koalicioni “Fronti Europian” ka shpallur “fitore të thellë” përballë kandidatit tjetër shqiptar, Arben Taravarit, nga koalicioni VLEN.

Deri më tani janë numëruar mbi 80 për qind e votave, ku me 39.93 për qind kryeson Gordana Silanovska Davkova nga partia opozitare VMRO DPMNE, e në vend të dytë presidenti aktual, Stevo Pendarovski, me 19.5 për qind.

Osmani renditet i treti me 14.23 për qind apo mbi 102 mijë vota. Taravari është i katërti me 10.06 për qind apo mbi 72 mijë vota të grumbulluara, rreth 30 mijë më pak se Osmani.

“Shpall fitoren e thellë me mbi 40 mijë vota. Kemi shënuar fitore pothuajse në çdo komunë shqiptare. Gjithandej në republikë, fitore e thellë e Frontit Europian. Urime të gjithëve!” – ka thënë Osmani në një konferencë për media.

Osmani pati edhe një mesazh direkt për kundërkandidatin, i cili ishte përkrahur edhe nga partia që ka pushtetin në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje.

“Arben, pavarësisht goditjeve të ulëta, patëm një fushatë të ndershme dhe fer, që sot me dinjitet të pranohet humbja dhe po ashtu edhe fitorja. Vullneti i popullit është ai që përcakton karrierat tona. Duhet të pranojmë këtë vullnet por edhe mesazhin që e dërguan shqiptarët dhe të gjitha komunitetet e tjera” – tha ai.

Ai shtoi se kanë shënuar fitore në Jegunovcë, Haraçinë, Vrapçishtë, Studeniçan, Likovë, Bogovinjë, Zhelinë, Gazi Babë, Bërvenicë, Dollnen, Resnjë, Strugë, Çashkë, Zelenikovë, Ohër, Tetovë, Saraj, Manastir, Çuçer Sandevë, Veles, Kërçovë, Karposh, Gostivar, Krushëvë, Kumanovë, Çair, Qendër e Dibër.

Osmani më tej tha se duket se votuesit maqedonas nuk kanë tejkaluar barrierat etnike sa i takon dhe se shoqëria ende është e ndarë.

“Pikërisht për këtë arsye, angazhimi im programor është zgjedhja e presidentit në kuvend, me shumicë të dyfishtë. Do vazhdojmë të presim rezultatet për raundin e dytë, por sidoqoftë zotimi im programor është që këto zgjedhje të jenë të fundit që mbahen në këtë mënyrë dhe presidentin e ardhshëm ta zgjedhim në kuvend me 2/3 dhe shumicë të dyfishtë” – tha ai.

Pak orë më parë, Arben Taravari ka thënë se janë të lumtur sepse “kanë fituar votën e shqiptarëve.

Rezultatet e votave mund t’i ndiqni në kohë reale në këtë vegëz.