Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

AGK fton Radio Kosovën ta menaxhojë situatën e Behare Bajraktarit me rregulloren e brendshme

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, AGK, ka ftuar Menaxhmentin e Radio Kosovës që ta menaxhojë situatën e gazetares Behare Bajraktari duke ndjekur rregulloret e brendshme të RTK-së dhe duke respektuar punën dhe kontributin e saj në transmetuesin publik që dy dekada.

Përmes një njoftimi në Facebook, AGK, ka shprehur shqetësimin në lidhje me këtë çështje.

Gazetarja e Radio Kosovës, Behare Bajraktari para pak ditësh kishte thënë që gjatë javës me urdhër të drejtorit të radios publike, Arsim Halili, i janë larguar sendet personale dhe të punës nga zyra ku ka punuar, pak kohë pas ndërprerjes së emisionit në Radio Kosova.

Në anën tjetër, menaxhmenti i Radios, ka thënë se gazetarja është njoftuar me kohë për rilokimin, dhe se emisioni ka ndryshuar përmbajtje si pjesë e skemës së re programore.

Bajraktari thotë se nuk e di se ku i kanë lënë këto gjësende dhe se rastin e ka denoncuar edhe në Polici.

“Sot pa autorizim, pa paralajmërim dhe pa asnjë vendim zyrtar dhe institucional me urdhër të tij ma kanë marrë nga zyra kompjuterin e punës, m’i kanë marrë të gjitha sendet e mia personale dhe profesionale të cilat i kam pas në tavolinën time të punës për rreth 19 vite, dhe i kanë marrë të gjitha sendet e mia personale, profesionale dhe private nga rafti i zyrës të cilat i posedoj prej vitit 2005″- kishte shkruar Bajraktari.

Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili ka mohuar një gjë të tillë. Sipas tij, më 16 nëntor gazetarja Behare Bajraktari me kërkesë të njësisë programore RTK-TV dhe me dakordimin e saj është njoftuar për sistemimin e ri dhe transferimin nga objekti i Radios në atë të TV, duke bashkëngjitur njoftimin që është dërguar nga Administrata dhe Burimet Njerëzore duke i ofruar edhe ndihmë logjistike në bartjen e paisjeve të punës.

Sipas Halilit, përkundër njoftimit, e punësuara nuk e ka zbatuar vendimin dhe e ka mbajtur të bllokuar ish-zyrën e saj.

Halili tha se zyra është e nevojshme për sistemimin e burimeve njerëzore të radios nga zyret që janë të mbingarkuara me staf.

Arsim Halili akuzat e tjera i ka cilësuar “trillime”.

Të tjerat, sipas Bajraktarit janë akuzat e saj që Halili edhe gjatë muajit gusht e ka kërcënuar atë. Bajraktari tha se drejtori i është drejtuar me fjalët: “Ti e din çka jam në gjendje me bë”.“Pastaj me kërcënimin që do ta ndali emisionin dhe me datë 20 tetor 2023 e ndali emisionin tim përgjithmonë në Radio ku kam kontribuar me mbi 5 mijë emisione prej vitit 2005, pa përmendur qindra intervista, reportazhe, lajme, kronika e të tjera” – kishte thënë Bajraktari.

Drejtori i Radio Kosovës reagon pas pretendimeve të gazetares se ai dha urdhër t’i merren kompjuteri dhe gjësendet personale e profesionale

Gazetarja e Radio Kosovës pretendon se drejtori Arsim Halili dha urdhër që t’i merren kompjuteri dhe gjësendet e saja