AAK: Kjo Qeveri do të mbahet mend si më anti-kushtetuesja

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri më 09.04.2024, datë kjo që shënon Ditën e Kushtetueses, ka deklaruar se Qeveria e tashme, do të mbahet mend si “më anti-kushtetuesja”.

“Republika e Kosovës është duke u ballafaquar me një Qeveri e cila në mandatin e vet do të mbahet mend si Qeveria më anti-Kushtetuese duke miratuar ligje dhe duke përfunduar në Gjykatë Kushtetuese për trajtim dhe me vendime të cilat kanë kthyer prapa tani katër ligje të kësaj Qeverie”- deklaroi Tahiri në konferencë për media.

Ai ka numëruar katër ligje të cilat kanë rënë ndesh me Kushtetutën sipas Gjykatës, përderisa ka përmendur edhe ato që tashmë janë duke u trajtuar.

“Sot derisa po flasim, Gjykata Kushtetuese ka kthyer mbrapa Ligjin për KPK ë tërësi, ka kthyer Ligjin për masat e përkohshme për produktet themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg në tërësi. Ka kthyer ligjin për paga dhe atë për zyrtarë publik, pjesërisht”- tha Tahiri.

“Përderisa sot Gjykata Kushtetuese e ka në trajtim Ligjin për Këshillin e Pavarur mbikëqyrës civil, Ligjin për caktimin e procedurave të caktimit të pagës minmale, Ligjin për investime të cenueshme, Ligjin për fondin sovran kodin e procedurës penale të Kosovës si dhe Ligjin për byronë për konfiskimin e pasurisë së paluajtshme, cila është porosia që sot duhet ta çojmë ne tek qytetarët e Kosovës”- shtoi ai.

Tahiri thotë se sipas raportit të Komisionit Europian, nga 104 ligje të aprovuara në Kuvend, 21 prej tyre janë miratuar me procedurë të përshpejtuar, pa konsensus partiak në parlament.

Sot bëhen 16 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 09.04.2008 dhe hyri në fuqi më 15.06.2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.