Ilustrim

6 raste të dhunës dhe të kërcënimeve ndaj grave në 24 orët e fundit

Në 24 orët e fundit, në Policinë e Kosovës janë raportuar 6 raste të dhunës dhe kërcënimeve ndaj grave, në gjithë Kosovën.

Sipas Raportit të Policisë, rastet janë raportuar në komunat si Fushë Kosovë, Prishtinë, Pejë, Suharekë dhe Vushtrri.

Në Fushë Kosovë janë raportuar dy raste. Dje, rreth orës 00:30, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Sipas Policisë, i njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.

Ndërsa në një rast tjetër, Policia e Koosvës ka njoftuar se ka arrestuar një person për të cilin është raportuar nga ish gruaja e tij, se ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese. Në konsultim me prokurorin i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në komunën e Pejës, dje rreth orës 18:30 është raportuar se një person ka sulmuar fizikisht një grua, duke i shkaktuar lëndime trupore. Pas intervistimit në konsultim me prokurorin i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Prishtinë, një grua ka raportuar se ish burri i saj, me të cilin janë në proces të shkurorëzimit i ka marr dy fëmijët e tyre dhe nuk i ka kthyer në kohën e caktuar sipas vendimit të Gjykatës. Policia ka njoftuar se me urdhër të prokurorit kujdestar është iniciuar rasti.

Ndërsa në Suharekë, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje me bashkëshortin e saj, përmes telefonit ai e kishte kanosur. Në lidhje me rastin, i dyshuari sipas Policisë është arrestuar, ndërsa pas intervistimit në konsultim me prokurorin, është dërguar në mbajtje.

Kurse në komunën e Vushtrrisë, gruaja ka raportuar se pas një mosmarrëveshje burri i saj kishte përdorur dhunë ndaj saj. Policia ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar, ndërsa viktima ka pranuar trajtim mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.