Policët e arrestuar dalin para Gjykatës, 15 mars 2022, Foto: KALLXO.com

48 policët e arrestuar dalin para Gjykatës – Pamje

48 policët e arrestuar të hënën, janë dërguar në Gjykatë, pasi Prokuroria Speciale ka kërkuar që ndaj të njëjtëve të  vendoset edhe masa e sigurisë.

Ekipet e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), kanë marrë zyrtarët policorë nga qendrat e ndalimit dhe të njëjtit i ka sjellë në Gjykatë për seancën e masës së sigurisë.

Të nënën në aksionin e IPK në Stacionin Policor Kufitar në Gjakovë, 48 zyrtarë policorë kufitarë dhe dy doganierë përfunduan në pranga pas një hetimi që zgjati 10 muaj nga Inspektorati Policor i Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale.

KALLXO.com raportoi se zyrtarët policorë kufitarë dyshohet se përfituan qindra euro ryshfet gjatë periudhës sa u zhvilluan masat e fshehta të hetimit.

Ryshfeti arrin shifrat deri në 400 euro që kanë marrë në një rast të vetëm.

Paratë u dhanë kryesisht për lejim qarkullimi të automjeteve në mungesë të dokumentacioneve, për lejim të kontrabandës me mallra të ndryshme si dhe për veprimtari të tjera ilegale.

IPK siç mëson KALLXO.com ka siguruar qindra pamje të zyrtarëve policor duke marrë ryshfet për lejimin e veprimtarive ilegale në pikat kufitare Qafë e Prushit dhe Qafë Morinë.

Dosjet korruptive të zyrtarëve policor i ka mbledhur IPK gjatë hetimit, ndërsa pamjet do të përdoren për të faktuar veprat penale që dyshohet se kanë kryer zyrtarët policorë.