Foto: Ilustrim

19-vjeçari ther me thikë vëllanë në Ferizaj

Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin se ka therë me thikë vëllanë e tij.

Sipas Policisë, bëhet fjalë për një 19-vjeçar, i cili për shkak të një mosmarrëveshje dyshohet se i ka shkaktuar lëndime viktimës.

Policia kishte pranuar një informacion nga Qendra emergjente në Ferizaj, se një person ishte duke u trajtuar për shkak të një lëndimi trupor.

“Stacioni policor në Ferizaj nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, sot rreth orës 12:40 ka pranuar një informacion nga Qendra Emergjente në Ferizaj, se një person është duke u trajtuar, për shkak të një lëndimi trupor. Policia e rendit menjëherë ka shkuar aty dhe ka kuptuar se bëhet fjalë për një lëndim trupor me mjet të mprehtë ( thikë)”, thuhet në komunikatë.

Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari është shoqëruar në Stacionin policor në Ferizaj dhe pas deklarimit të tij në lidhje me rastin, me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.