Tërmeti në Turqi, Foto: VOA

13 shkurti ditë zie në Shqipëri në nderim të viktimave të tërmetit në Turqi

Qeveria e Shqipërisë ka shpallur 13 shkurtin ditë zie në Shqipëri në nderim të viktimave të tërmetit në Turqi.

Kështu bëri të ditur përmes një postimi në Facebook kryeministri Edi Rama.

“Qeveria Shqiptare ka vendosur që e hëna, 13 shkurt, do të jetë ditë zie kombëtare në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, si edhe në shenjë solidariteti me Turqinë mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë pak kohë më parë”- shkruan Rama.

Kryeministri shqiptar thotë se ulja e flamurit kombëtar në gjysmështizë dhe ndezja e qirinjve do të jenë shenja kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore.

“Ulja e flamurit kombëtar në gjysmë shtize dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë”- është shprehur Rama.

Tërmeti që goditi rajonin pranë kufirit mes Turqisë dhe Sirisë, tashmë ka marrë jetën e më shumë se 22 mijë personave. Ky rajon është shtëpi e 13.5 milionë njerëzve.

Ekipet e kërkim-shpëtimit bënë përpjekjet e fundit gjatë natës të së enjtes për të gjetur të mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura.

8 shkurti në Kosovë u shpall ditë zie kombëtare nga presidentja e vendit Vjosa Osmani.