Ilustrim

12 raste të dhunës në familje të raportuara në Policinë e Kosovës në 24 orë, të dyshuarit të gjithë burra

12 raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës brenda 24 orëve të fundit, tregojnë të dhënat e organeve të rendit.

Në të gjitha këto raste të dyshuar janë burra, respektivisht bashkëshortë, ish-bashkëshort dhe një djalë.

Të dhënat përkojnë në ditën e zisë shtetërore në Kosovë (17.04.2024), shpallur nga presidentja Vjosa Osmani, në kujtim të të gjitha vajzave dhe grave të vrara. Brenda pesë ditësh në Kosovë, dy gra u vranë nga të dyshuarit, burri dhe ish-burri, i tyre. Rastet ndodhën në Ferizaj dhe në Pejë.

Në anën tjetër, në raportin policor theksohet se në Fushë Kosovë është arrestuar i dyshuari, burrë pasi i njëjti kishte sulmuar fizikisht gruan e tij pas një mosmarrëveshje. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje. Rasti ka ndodhur më 16.04.2024 rreth orës 15:30.

Në qytetin e Podujevës, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj në vazhdimësi është duke i shkaktuar dhunë psikike. Sipas raportit të Policisë së Kosovës, viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor dhe ka refuzuar urdhrin mbrojtës. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Podujevë. Një grua ka raportuar se burri i saj me të meta psikike e kishte sulmuar fizikisht. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari është ndaluar në repartin psikiatrik për tretman.

Në Prishtinë, një grua ka raportuar se ish bashkëshorti i saj i cili është në burg e kishte kanosur përmes telefonit. Viktima ka pranuar tretman mjekësor pas shqetësimit që ka përjetuar. Sipas raportit policor rasti ka ndodhur më 10.04.2024.

Në kryeqytet, më 04.04.2024 , një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj në vazhdimësi është duke shkaktuar dhunë psikike ndaj saj. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari, me vendim të prokurorit rasti  në procedurë të rregullt.

Një rasti tjetër i dhunës në familje është raportuar më 16.04.2024 në Fushë Kosovë.  Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në mes anëtarëve të familjes, saktësisht në mes vjehrrit, nuses dhe  kunatës, ka ardhur deri tek shtyerja në mes tyre.

Palët kanë pësuar lëndime të lehta trupore ndërsa me vendim të prokurorit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

Në Gjilan më 16.04.2024 është arrestuar i dyshuari me të meta psikike sipas raportit të Policisë së Kosovës, pasi i njëjti kishte fyer nënën dhe mbesën e tij.

Dyshohet se mbesën e ka sulmuar fizikisht duke e kapur me dy duart në fyt. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Ferizaj një grua ka raportuar në Policinë e Kosovës se bashkëshorti i saj e kishte telefonuar nga Gjermania dhe i kishte thënë se “kur të vij në shtëpi mos të gjej aty”. E njëjta ka kërkuar urdhër mbrojtës pasi ndjehet e rrezikuar nga i dyshuari. Pas intervistimit e njëjta është kthyer në shtëpinë e saj së bashku me prindin e bashkëshortit të saj.

Një person tjetër është arrestuar nga Policia e Kosovës në Ferizaj pasi i njëjti nën ndikimin e alkoolit kishe shkaktuar dhunë psikike ndaj anëtarëve të familjes. Me vendim te prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Në Klinë më 16.04.2024 është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti e kishte sulmuar fizikisht nënën e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari me të meta mendore sipas raportit të mjekut  është dërguar në mbajtje.

Në Deçan më 16.04.2024 është arrestuar i dyshuari i mitur pasi që i njëjti si recidivist i veprës kishte përdor dhunë fizike dhe psikike ndaj familjarëve të tij. Me vendim  të prokurorit pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Në Pejë më  13.04.2024 është arrestuar një person i dyshuar për dhunë në familje. I njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Sot (17.04.2024) do të jetë ditë zie në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Presidentja, Vjosa Osmani shpalli të mërkurën ditë zie në Kosovë pas vrasjes së dy grave brenda pesë ditëve të fundit, njëra në Ferizaj e tjetra në Pejë. Qyteti i Pejës u trondit, më 16.04.2024, nga vrasja e një gruaje, nga i dyshuari- burri i saj, i cili është arrestuar nga Policia. Krimi dyshohet se u krye në banesën e çiftit në Pejë.