Shfaqet nesër në Lipjan drama ‘Çelësi Magjik’

“Atpolis” – Qendra për Art dhe Komunitet në bashkëpunim me Komunën e Lipjanit, përkrahur nga CFD prezanton nesër, më 8 qershor 2021, shfaqjen forum teatër dhe ekspozitën e klubit teatror të të rinjve të Lipjanit me titull “Çelësi Magjik”.

Shfaqja jepet në ora 12:00, në Qendrën Kulturore, “Tahir Sinani”.

“Shfaqja adreson periudhën e pandemisë COVID-19 dhe të post-pandemisë, e cila vjen si një udhëtim në kohë. ‘Çelësi Magjik’ shpërfaq papërgjegjësinë e njerëzve, rritjen e dhunës në familje, e luftën psikologjike me të cilën përballen personazhet. Pas shfaqjes personazhet do të diskutojnë me publikun lidhur me temat të cilat adresohen në shfaqje, duke e bërë kështu edhe publikun pjesë të saj”, thuhet në komunikatën për media të “Artpolis”.

Pas diskutimit ndërmjet personazheve të shfaqjes dhe publikut, do të hapet një ekspozitë nga nxënësit, me temën e njëjtë.

Në shfaqje luajnë: Laurita Terpeza, Lerdi Salihi, Gerta Salihi, Zejnie Osmani, Erblina Krasniqi, Suhejla Mehmeti, Leonard Guci, Sadri Gashi, Ledona Reçica, Arbnora Krasniqi, Endresa Avdyli. Regjisore/ë: Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli dhe Ismail Kasumi.