Pesë muaj nga shpallja e konkursit për blerjen e veprave, MKRS thotë se po negocion çmimet me artistët aplikues

Edhe pse kanë kaluar më shumë se pesë muaj prej kur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte hapur konkursin për blerjen e veprave të artistëve vendorë, rezultatet e këtij konkursi ende nuk janë publikuar.

Rezultatet e këtij konkursi të MKRS-së, që ishte shpallur më 5 maj 2023 pritet të publikohen në pak ditë.

Përveç konkursit, MKRS planifikon dhe blerje direkte të veprave nga artistë kosovarë.

Thirrjes së MKRS-së për blerjen e veprave të artit për vitin 2023 i janë përgjigjur 340 aplikues. Ndërsa, MKRS ka 350 mijë euro në dispozicion për blerjen e veprave të artit përmes thirrjes publike dhe për blerje direkte.

Për të blerë këto vepra, MKRS thotë se juria profesionale ka negociuar me artistët aplikues çmimin për blerjen e veprave. Kjo është thënë se është arsyeja  e vonesës së publikimit të listës së veprave të blera nga MKRS.

“Vlerësimi i aplikimeve është në fazën e fundit. Brenda ditësh do të publikohet lista e përfituesve. Për arsyes se juria profesionale është nevojitur të dialogojë me artistët aplikues për çmimet e ofertuara për blerje, procedura ka marrë kohë më të gjatë se që është paraparë në fillim”- ka thënë MKRS në një përgjigje për KALLXo.com.

MKRS thotë se për këtë thirrje ka ftuar një grup kuratoresh me ekspertizë të gjerë në koleksione institucionale dhe shtetërore.

“Duke konsideruar tregun e artit në Kosovë dhe infrastrukturën kulturore të nevojshme për këto struktura e iniciativa, juria ka marr kohë për të rishikuar aplikimet në detaje dhe për të krijuar parametrat e nevojshëm që mundësojnë vlerësimin e duhur”- thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Blerja e veprave përmes thirrjes publike dhe blerjes direkt po menaxhohet nga Galeria Kombëtare e Kosovës në bashkëpunim me MKRS-në. Kjo po bëhet për të pasuruar dhe rimenduar koleksionin me fokus në reprezentimin e artistëve dhe narrativave të neglizhuara në fondin e tanishëm.

Në vitin 2022, MKRS përmes thirrjes publike bleu 80 vepra arti në vlerë 300 mijë euro. Shumat për një vepër arti të blerë nga MKRS varionin nga 1,500 deri në 10,000 euro.

MKRS thotë se një pjesë e veprave të blera nga viti i kaluar janë sistemuar në depot e Galerisë Kombëtare të Kosovës, bashkë me veprat e tjera të artit nga koleksioni shtetëror i Republikës së Kosovës, e cila ka shtuar konsiderueshëm kapacitetet e depos.

Një numër i madh i këtyre veprave, sipas MKRS-së janë shpërndarë në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës nëpër botë.