array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=3"
  }
}

Titulli i rremë për motivet e vrasjes së Liridona Ademajt

Deklarata

Njeriu me PUSHTET që detyroi Naim Murselin të planifikonte VRASJEN e Liridonës/”E kreva ate punë…

Faqet në Facebook

Vlerësimi

Me kos

Titulli i artikullit “Njeriu me PUSHTET që detyroi Naim Murselin të planifikonte VRASJEN e Liridonës/”E kreva ate punë…” është i rremë. Në artikull nuk është ofruar asnjë fakt që ndonjë person tjetër me pushtet e ka detyruar Naim Murselin të planifikojë vrasjen e bashkëshortës se tij, Liridona Ademaj. Avokati Tomë Gashi që është cituar në artikull ka thënë se nuk ka deklaruar asnjëherë se ndonjë person me pushtet e ka shtyrë Naim Murselin të planifikonte vrasjen e gruas së tij. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka thënë se nuk ka persona tjerë të dyshuar në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Artikulli

Faqja e Facebook “Portali Aurora” (Arkivi) më datë 15.03.2024 ka shpërndarë një postim me titull “Njeriu me PUSHTET që detyroi Naim Murselin të planifikonte VRASJEN e Liridonës/”E kreva ate punë…” 

Ky postim më pas po ashtu më 15.03.2024 është shpërndarë edhe në faqet e tjera të Facebook, siç janë: “Lajme Javore” (Arkivi), “Lajmi I Fundit” (Arkivi), “Shqiptaria Ka Emër” (Arkivi), “ORARI” (Arkivi) dhe “Lajme info” (Arkivi). 

Në fotografinë që iu është bashkëngjitur këtij postimi shihen Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Personazhe të fotografisë janë edhe avokati Tomë Gashi dhe Fiori Dardha, moderatore e emisionit “Breaking” në Top Channel. 

Postimit i është bashkëngjitur edhe një video e datës 29.01.2024, intervistë që avokati Gashi ka dhënë në emisionin “Breaking” në Top Channel (Arkivi). 

Edhe kjo video që është shpërndarë në faqen e Top Channel në Youtube (Arkivi) e po ashtu edhe në faqen e tyre zyrtare  (Arkivi) e ka titullin “Njeriu me PUSHTET që detyroi Naim Murselin të planifikonte VRASJEN e Liridonës/”E kreva ate punë…””. 

Krypometri ka verifikuar se gjatë intervistës asnjëherë nuk është konstatuar se ‘një njëri me pushtet e ka detyruar Naim Murselin të planifikonte vrasjen e Liridona Ademajt’. 

Krypometri ka kontaktuar edhe me avokatin Tomë Gashi, i cili është pyetur nëse ka deklaruar gjatë kësaj interviste se një njëri me pushtet ka detyruar Murselin të planifikonte vrasjen e bashkëshortes së tij. 

Gashi ka thënë se asnjëherë nuk e ka dhënë një deklaratë të tillë. 

“Kurrë nuk kam dhënë një deklaratë të tillë”- tha Gashi. 

Që diçka e tillë nuk është e vërtetë është konfirmuar edhe nga kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, i cili në një intervistë për Kallxo Përnime, është pyetur nëse ka hetime që një njëri me pushtet e ka detyruar Murselin që të ndodhë kjo ngjarje. 

“Nuk dëshiroj të lëshohem në informata të tilla, të cilat kanë mujt të jepen para publikut për shkak se nuk mund t’i konfirmoj këto informata në asnjë rast. Ajo që e thash më parë është që ne i kemi marr veprimet e nevojshme hetimore”- ka thënë Gashi. 

Kur është pyetur nëse jashtë katër personave të dyshuar për këtë vrasje, a ka ndonjë person të pestë të dyshuar, kryeprokurori ka thënë se nuk ka ndonjë person tjetër të dyshuar. 

“Nuk ka persona të tjerë”- u shpreh ai. 

I njëjti tutje është pyetur nëse ka diçka të vërtetë në këto lajme që shpërndahen, apo janë thjeshtë dezinformata. 

“Unë e konfirmoj që mund të jenë dezinformata”- tha kryeprokurori i Prishtinës. 

Naim Murseli është arrestuar (Arkivi) më 01.1202023, dy ditë pas vrasjes së Liridona Ademajt, bashkëshortes së tij. Prokuroria ka ngritur dyshimet ndaj Murselit se kishte porositur vrasjen e bashkëshortes së tij. 

Në anën tjetër, përveç Murselit, të arrestuar janë edhe Granit Plava që dyshohet se ishte ekzekutori dhe Kushtrim Kokalla që dyshohet se ishte personi që vuri në kontakt Naim Murselin dhe Granit Plavën. 

Të tre të dyshuarit janë nga Gjakova. Dosja e Prokurorisë (Arkivi) përmendë rolet e të tre të dyshuarve në vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023. 

Fillimisht rasti u raportua si grabitje me pasojë vrasje, ndërsa më pas vepra u rikualifikua në vrasje të rëndë, pasi që Prokuroria tha se ngjarja ishte inskenuar.