Shefi i asamblistëve të LVV në Prishtinë, Gëzim Sveçla në konferencë për media | Foto: Kallxo.com

Vetëvendosje akuzon Perparim Ramën dhe LDK-në për keqpërdorim të ndërmarrjeve komunale

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike të Trafikut Urban kanë mbajtur sot më 24.11.2025 protestë para Komunës së Prishtinës, duke vazhduar marshin e tyre drejt Qeverisë së Kosovës. Ata kërkuan zgjidhje urgjente për situatën financiare të ndërmarrjes, duke deklaruar se tash e gjashtë muaj nuk kanë marrë pagat e tyre.

Në këtë situatë, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për media,sot më 25.11.2025 në ora 16:15 ku ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Perparim Rama, dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për keqpërdorim të ndërmarrjeve publike dhe për përdorimin e tyre në funksion të propagandës politike.

Sipas tyre, ky është manipulim i pastër politik, i planifikuar dhe i qëllimshëm.

Vetëvendosje thotë se narracioni i LDK-së për bllokadë të buxhetit është i pavërtetë, duke theksuar se Komuna e Prishtinës ka kaluar afatet ligjore dhe administrative, ndërsa buxheti i konsoliduar i Republikës është miratuar pa mundësinë e përfshirjes së atij të Prishtinës.

“E vetmja bllokadë për buxhetin e Prishtinës janë Perparim Rama, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lideri i saj Lumir Abdixhiku”, – Tha Gëzim Sveçla

LVV kërkon ndërhyrje të organeve të drejtësisë dhe nisjen e hetimeve për siç pretendojnë  keqpërdorimet e bëra ndër vite në Komunën e Prishtinës dhe në ndërmarrjet publike.

Egzon Azemi i LVV-së, e ka quajtur të paprecedentë situatën e sotme kur për herë të parë pas shumë vitesh është ndalur transporti publik në kryeqytet.

“Për herë të parë ndalet transporti publik në Prishtinë. Për këtë problem është një njeri Perparim Rama dhe LDK-ja,- tha Azemi.

Ai pretendoi se vetëm gjatë vitit 2025 janë punësuar mbi 100 persona, kryesisht militantë të LDK-së dhe PDK-së, duke rënduar gjendjen financiare të ndërmarrjes.

Sipas tij, ndërmarrja ka borxh mbi 1 milion euro, ndërsa disa veprime të kryetarit Rama  përfshirë lirimin nga pagesa të disa kategorive dy javë para zgjedhjeve e kanë shtyrë Trafikun Urban drejt falimentimit.

Vetëvendosje thekson se ndërmarrjet publike nuk duhet të përdoren për interesa politike dhe se e vetmja ndërmarrje që menaxhohet nga LVV nuk ka probleme me paga, buxhet apo borxhe.

Punëtorët e ndërmarrjes publike kanë paralajmëruar protestë të vazhdueshme deri në ofrimin e një zgjidhjeje për problemet e tyre financiare, duke theksuar se nuk do të tërhiqen derisa të marrin pagat e mungura dhe të stabilizohet gjendja në ndërmarrje.