Ilustrimi: Granit Mavriqi / KALLXO.com

Përparim Rama nisi detyrën e kryetarit me inspektime

Edhe pse me ekip të pa formuar zyrtarisht, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili nuk ka mbushur ende një muaj nga marrja e detyrës, e ka nisur punën me inspektime.

Për të marr hapa të tillë, Rama nuk priti shumë, në ditën e parë të punës pasi mori detyrën nga ish kryetari Shpend Ahmeti, vendosi të largojë një divan nga zyra e tij, me arsyetimin se nuk ka kohë për të pushuar, pasi ka ardhur të punojë.

Nuk kaluan shumë ditë e Përparim Rama vazhdoi punën me inspektime, fillimisht brenda objektit komunal e pastaj në qytet.

Rama kishte kërkuar nga stafi i komunës që të mos konsumojnë duhan në hapësirat e objektit të komunës, por të dalin jashtë.

Një vendim i tillë i komunës u përfol shumë, duke ngritur edhe pikëpytje nëse do zbatohet në përpikmëri dhe nëse të gjithë punëtorët do dalin jashtë objektit për të konsumuar duhan.

Pak ditë nga kërkesa e parë, kryetari kishte vendosur t’i bashkangjitet lutjeve të qeverisë për kursim të energjisë elektrike.

Rama kishte kërkuar nga stafi i komunës që të fiknin pajisjet e punës kur nuk janë në zyrë dhe nuk i përdorin ato.

Kurse, puna e parë që bëri në qytet ishte largimi i shitësve ambulantë nga sheshet e qytetit.
Largimi i shitësve ambulantë ka qenë premtim edhe i ish kryetarit Shpend Ahmeti, por ky i fundit nuk mori një hap të tillë.

E punën me lirim të hapësirave, Rama e vazhdoi edhe në trotuare, inspektorët e komunës larguan disa kubëza që kishin qenë me muaj të tërë në një trotuar në zonën e vjetër të qytetit, duke penguar lëvizjen e qytetarëve.

Lirimi i hapësirave publike është një nga premtimet më të rëndësishme që Rama vazhdimisht e ka potencuar gjatë fushatës parazgjedhore.

Gjatë shpalosjes së programit, Rama vazhdimisht ka deklaruar se do u kthejë qytetarëve hapësirat publike, ku këmbësori do jetë i pari.

Kryetari Rama po ashtu u takua edhe me komandantin rajonal për Komunikacion Rrugor, Sylejman Halili, ku diskutuan për prioritetet për lirimin e hapësirave publike që kanë për synim lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve të Prishtinës, me theks lirimin e trotuareve dhe lehtësimin e qarkullimit të makinave në kohën e pikut.

Sa i përket ekipit, deri tani është bërë publik vetëm njëri nënkryetar, Alban Zogaj nga LDK dhe shefi i Kabinetit, Vllaznim Osmani.

Derisa, pozitat e 16 drejtorive dhe njërit nënkryetar nuk janë bërë ende të ditura, pasi kryetari Rama është ende në diskutim për formim të shumicës në asamble.

Sipas të dhënave nga komuna, më datë 5 janar do mbahet seanca për caktimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal, e ditëve në vijim pritet të kompletohet edhe ekipi i drejtorëve.

Mbetet të shihet nëse puna e ekipit të tij do vazhdoj me të njëjtin ritëm.

Përparim Rama arriti të fitojë pozitën e kryetarit të Prishtinës nga radhët e LDK-së përballë Arben Vitisë së LVV-ës në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Rama mori 41,746 vota apo 50,98% ndërsa Vitia 40,143 vota apo 49,02%.