Ministria e Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

Inspektorati Shëndetësor kreu 678 inspektime dhe shqiptoi 72 gjoba për tetë muaj

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se gjatë periudhës janar – gusht 2023, Inspektorati Shëndetësor ka shqiptuar 72 gjoba nga 678 inspektime të kryera gjithsej.

33 prej këtyre gjobave janë shqiptuar ndaj institucioneve të cilat kanë punuar pa licencë, ndërsa 39 vendime të tjera kanë qenë ndaj institucioneve ku janë konstatuar shkelje dhe parregullsi të ndryshme.

Prej 678 inspektimeve, sipas Ministrisë, 364 kanë qenë të planifikuara, 134 specifike dhe 180 tematike.

“Ndaj shkelësve të ligjit nuk do të ketë asnjë tolerancë. Subjektet të cilat ofrojnë shërbime shëndetësore duhet të respektojnë të gjitha rregullat e parapara me ligj për ushtrim të veprimtarisë” – thuhet në njoftimin e MSH-së.

Ministria ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të sinjalizojnë kur hasin në veprimtari të dyshimta në institucione shëndetësore.

Foto: Ministria e Shëndetësisë, Facebook

Më 8 shtator, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri të ditur se inspektorët shëndetësorë dhe farmaceutikë do të marrin nga 250 euro shtesa që nga ky muaj.