Përparim Rama FOTO: Komuna e Prishtinës

Përparim Rama me kritika për Ministrinë e Financave, flet për shtim të inspektorëve e linja të autobusëve

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për projektet e Komunës dhe procedurat që po shkaktojnë vonesa në realizim të shumë tenderëve.

Rama në RTV Dukagjini pati kritika për Ministrinë e Financave që, sipas tij, po u paraqet ngecje në bartje të mjeteve vetanake që janë miliona euro e që shumë projekte varen prej tyre.

“Lus Ministrinë e Financave që të mos sabotojë procesin e zhvillimit të kryeqytetit. Ne duam t’i zbatojmë projektet tona dhe i ftojmë të bashkëpunojnë. Ministria e Financave e ka një qasje për t’i ruajtur paratë, ato nuk janë për t’u mbajtur ‘turshi’”- është shprehur Rama.

Tutje, i pari i kryeqytetit shtoi se do marrin edhe 50 inspektorë të rinj.

“Do i marrim edhe 50 inspektorë, kanë qenë vetëm 17 dhe ky është numër shumë i vogël për punët që duhet të mbikëqyren”- shtoi tutje Rama.

Ai foli edhe për sheshin ‘Xhorxh Bush’ për të cilin u shpreh se aktualisht është në tranzicion dhe se në fazën e dytë do jetë totalisht shesh.

“Sheshi ‘Xhorxh Bush’ është tranzicion i një rruge prej asaj për transport në shesh, pra kjo është tranzicion. Faza e parë është që i kemi ndalë makinat private, në fazën e dytë, po përpilojmë projektin për tërë sheshin, do jetë totalisht shesh, do lidhet me sheshin ‘Nënë Tereza’”- theksoi tutje Rama.

Kurse, lidhur me zgjerim të linjave të autobusëve e parkingjeve, Rama tha se janë ende në përpilim të strategjisë, ku pritet që brenda vitit të sillen 30 autobusët e rinj si dhe do blihen edhe 50 kombibusë.

“Jemi duke përpiluar me KFW-në strategjinë e re për linjat e autobusëve dhe do kemi 30 autobusë shtesë. Kemi nevojë edhe për kombibusë ku autobusët nuk mund të hyjnë. Jemi në diskutim për 50 të tillë”- u shpreh Rama.

Tutje, ai shtoi se edhe kontratat që i kanë me sektorin privat, po i shqyrtojnë që t’i bëjnë me kilometër që t’u tregojnë ku të shkojnë dhe të mbulohen të gjitha zonat.

Ramës i janë shfaqur edhe disa klipe të premtimeve të tij gjatë fushatës zgjedhore, për të cilat ai tha se ka pasur vonesa në vitin e parë të qeverisjes pasi mungesa e bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit ka bërë që shumë projekte të zvarriten e barten për këtë vit.