Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kërkesa e Përparim Ramës: Të fiken dritat, kompjuterët, monitorët e çdo pajisje elektrike pas orarit të punës

Kabineti i Përparim Ramës, kryetarit të Komunës së Prishtinës, ka kërkuar nga punëtorët e Komunës që pas orarit të punës të kujdesen që t’i fikin dritat dhe pajisjet e tjera elektronike.

KALLXO.com ka siguruar këtë kërkesë, në të cilën thuhet se arsyeja është kriza energjetike me të cilën po përballet vendi.

“Ju drejtohem me lutje/kërkesë që ti bashkohemi përpjekjeve të përbashkëta për ruajtjen e energjisë elektrike”, thuhet në email.

Tri kërkesat e Kabinetit të Kryetarit janë këto:

Të siguroheni që të gjitha dritat/llambat të jenë të fikura, kur të përfundojë orari i punës;

Të siguroheni që kompjuterët e punës dhe pajisjet tjera me furnizim të energjisë elektrike të jenë të fikura, duke përfshirë edhe monitorët;

Të siguroheni që dritaret e zyrave të jenë të mbyllura, përderisa largoheni nga zyrat tuaja.”

KALLXO.com para disa ditësh ka raportuar se i pari i Prishtinës kishte marrë vendim që t’ua ndalojë punëtorëve pirjen e duhanit edhe në hapësirat e jashtme të Komunës.

Në njoftimin e siguruar nga KALLXO.com thuhej se punëtorëve të Komunës u ishte ndaluar të pinë duhan edhe në shkallët emergjente e në ballkonet e ndërtesave të Komunës.

“Kjo ndalesë përveç hapësirave të brendshme të ndërtesës, përfshin edhe ndalesën e pirjes së duhanit në terasa dhe shkallët emergjente”, thuhej në vendim.