Inspektorati i Tregut ndalon shitjen e 200 kositëseve të barit me prejardhje nga Kina, mbikëqyrë edhe cilësinë e naftës

Inspektorari i Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) pas disa kontrolleve ka vendosur të ndalojë importin e 200 kositëseve të barit me rrymë me origjinë nga Kina pasi nuk ishin plotësuar kërkesat ligjore të sigurisë.

Në një komunikatë për media, Ministria bën të ditur se gjatë këtij kontrolli është bërë edhe ndalimi i ekspozimit të cigareve elektronike si dhe mbikëqyrja e cilësisë së naftës dhe vajrave motorike.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Inspektorati i Tregut ka vendosur për ndalimin e importimit të 200 kositëseve të barit me rrymë me origjinë nga Kina, për shkak se të njëjtat nuk i kanë plotësuar kërkesat ligjore të sigurisë dhe si të tilla nuk mund të vendosen në treg për konsumatorët.  Gjithashtu, është ndaluar ekspozimi i cigareve elektronike, është bërë mbikëqyrja e tregtisë dhe cilësisë së naftës e vajrave motorike, verifikimi i produkteve për përmbushje të standardeve dhe të sigurisë etj”- thuhet në komunikatë.

Tutje, MINT thekson se Inspektorati ka kryer 55 kontrolle tek operatorët ekonomikë pasi janë pranuar 98 ankesa të konsumatorëve.

“Gjatë javës së kaluar, Inspektorati ka kryer 55 kontrolle te Operatorët Ekonomik në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Si rezultat i besueshmërisë së qytetarëve në efikasitetin e punës së MINT, janë pranuar dhe shqytuar 98 ankesa të konsumatorëve”- thuhet tutje në njoftim.

Derisa, me qëllim të analizimit të cilësisë së produkteve të naftës, sipas MINT, janë marrë 30 mostra për testim në laboratorët e akredituar.

“Verifikimi i peshës së bukës dhe sasisë së naftës, po ashtu kanë qenë në fokus të inspektorëve, bërë në bashkëpunim me Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës që funksionin brenda në MINT. Inspektorët kanë vazhduar edhe me monitorimin e rregullt të çmimeve të produkteve të naftës te pikat shitëse me pakicë”- thuhet tutje nga Ministria.

Inspektorati i Tregut potencon se do të vijojë të mbikëqyrë tregun me intensitet të shtuar dhe të trajtojë secilën nga ankesat e konsumatorëve, për çfarë edhe i inkurajon ata që të paraqesin parregullsitë që hasin.