Nënshkruhet marrëveshja mes MCC-së, NPB-së dhe banorëve për renovim të soliterëve në ‘Ulpianë’

Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka nënshkruar marrëveshje bashkëfinancimi me Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB) dhe këshillin e banorëve për renovimin e soliterëve në lagjen ‘Ulpiana’ në kryeqytet.

Përfaqësuesit e Këshillit të banorëve të soliterëve janë pajtuar të ofrojnë pjesën e tyre të bashkëfinancimit.

Për 5 soliterët MCC ofron 60% të financimit, komuna 30% dhe NPB me banorët 10% (5+5) të financimit.

Investimi total në renovim është 2,6 milionë euro.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar, fondet e komunës dhe fondet e NPB-së bashkë me banorët mbahen dhe administrohen nga MCC.

Sipas deklarimit të një prej përfaqësuesve të banorëve, NPB në diskutim me banorët u ka dhënë afat të pagesës me kohëzgjatje deri në 7 vite (13-15 euro në muaj), për renovimet në këto objekte.

Derisa, nga pagesa do lirohen kategoritë me rast social, familjet me persona me aftësi të kufizuara, nënat vetëushqyese, gratë e veja dhe pensionistët.

Pagesa e këtyre kategorive të liruara do mbulohen nga MCC dhe NPB, nuk u bartet pjesës tjetër të banorëve.

Në dokumentin e nënshkruar theksohet se brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje komuna, NPB dhe banorët i transferojnë fondet në një llogari të specifikuar si ‘llogaria e bashkëfinancimit’.

Punimet në renovimin e soliterëve parashihet të finalizohen deri me 30 shtator 2022.

Përfaqësuesi i MCC në Kosovë, Petrit Selimi gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshje tha se ka më shumë se një dekadë që banorët janë ankuar për degradimin e gjendjes së soliterëve.

“Ky është një hap më tej për punët në solitera, ankesat kanë qenë mbi një dekadë për shkatërrimin e objekteve. MCC ka hy në bashkëfinancim me komunën për mbulim të shpenzimeve. Mirëpo edhe NPB me banorët i kemi partnerë në këtë projekt por për shkak të ardhmes dhe mirëmbajtjes”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, janë duke punuar me afate të ngushta por planifikojnë që inaugurimi i punimeve të bëhet në vjeshtën e hershme të këtij viti.

“Jemi duke punuar me afate të ngushta kohore por puna ka filluar. Planifikojmë të inaugurojmë objektet në vjeshtën e hershme. Kur e kemi filluar projektin ideja ka qenë për objekte më të vogla si pilot projekte, qëllimi ka qenë për shtëpi private, por ekipi jonë kemi insistuar për Ulpianën dhe këta soliterë”, ka thënë më tej Selimi.

Kurse, kryeshefi i ndërmarrjes publike banesore, Hajdar Hoxhaj ka thënë se soliterët janë përzgjedhur për këtë projekt bashkëfinancimi pasi përfaqësojnë një arkitekturë të mbrojtur të kryeqytetit.

“Ne jemi munduar të kemi një rol koordinues për këtë projekt dhe ja kemi arritur. Kemi përzgjedhur këto objekte pasi përfaqësojnë një arkitekturë të mbrojtur të Prishtinës. Përveç investimit jashtë, do punojmë edhe në pjesën brenda, si shkallët dhe ashensorët”, ka thënë Hoxhaj.

Punimet në renovimin e soliterëve kanë nisur në muajin maj.