Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Refuzohet kërkesa e kryeshefit të NPB-së ndaj Vetëvendosjes për largimin e lajmeve për projektin milionësh

Gjykata e Prishtinës e ka hedhur poshtë si të pabazuar kërkesën e kryeshefit të Ndërmarrjes Publike Banesore, Hajdar Hoxhaj kundër Lëvizjes Vetëvendosjes – Qendra në Prishtinë, për largimin e lajmeve ku është thënë “NPB po tenton manipulimin e një projekti gjigant, që sipas tyre e kap vlerën 200 milionë euro”.

“Gjykata shqyrtoi me kujdes propozimin, deklarimin e të autorizuarit të propozuesit si dhe përgjigjen e kundërshtarit lidhur me caktimin e urdhëresës gjyqësore dhe pas analizimit të provave materiale të cilat gjenden në shkresat e lëndës, gjykata ka ardhur në përfundim se propozimi i palës paditëse për caktimin e udhëresës gjyqësore deri në përfundimin e kësaj çështje kontestimore, është i pabazuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore, të datës 11 shkurt 2022.

Hoxhaj kishte dorëzuar padi kundër Lëvizjes Vetëvendosje për shpifje, fyerje dhe kompensim dëmi jomaterial, me propozim për caktimin e urdhëresës gjyqësore deri në përfundimin e procedurës gjyqësore. Kjo në lidhje me projektin 120 milionësh të NPB-së dhe deklarat që ka thënë Egzon Azemi për këtë projekt.

“Në një konferencë për media para Komunës së Prishtinës, Azemi ka thënë se në fund të mandatit, duke përfituar nga koncentrimi i subjekteve politike për të bërë fushatë, sipas tij, po tentohet të lihet në harresë fati i NPB-së. Aty po parashihen 100 mijë metra ndërtim, 70 mijë ndërtim mbitokësor dhe 30 mijë metra ndërtim mbitokësor. Sipas vlerës minimale të çmimit të tregut atë zonë i bie se vlera përgjithshem e përfitimit do të jetë mbi 2,000 euro për metër katror ose 200 milionë euro në tërësi “, thuhet në vendimin e Gjykatës së Prishtinës.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryeshfin e NPB-së, Hajdar Hoxha për ta pyetur në lidhje me vendimin e Gjykatës, por i njëjti ka thënë se ende nuk e ka pranuar një të tillë.

Egzon Azemi në shtator të vitit 2021, kishte mbajtur një konferencë për media para Komunës së Prishtinës ku kishte thënë se Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) po tenton manipulimin e një projekti gjigant, që sipas tij e kap vlerën e 200 milionë eurove.

Azemi kishte thënë se në fund të mandatit, duke përfituar nga koncetrimi i subjekteve politike për të bërë fushatë, sipas tij, po tentohet të lihet në harresë fati i NPB-së.

Ndërmarrja Publike Banesore menjëherë pas kësaj konference të Azemit, kishte reaguar duke thënë se do ta padisë atë për shpifje.

Në nëntor të vitit të kaluar, në KALLXO.com është publikuar hulumtimin që tregon për projektin e dyshimtë të Ndërmarrjes Publike Banesore, në vlerë 120 milionë euro, për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen Lakrishte të kryeqytetit.

Në këtë hulumtim tregohet se si ish-bordi i drejtorëve kishte shkarkuar kryshefin ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhajn, në pretendimet për shkelje ligjore gjatë projektit në Lakërishtë. Vendimi për shkarkimin e kryeshefit nuk ishte protokuluar nga stafi i NPB-së dhe si rrjedhojë tre ditë më pas, aksionarët e Ndërmarrjes kishin shkarkuar dy anëtaret e Bordit.

Gjithashtu, në hulumtim tregohet për procedurat e dyshimta të përzgjedhjes së kompanive fituese, kufizimin e konkurencës, mungesën e transparencës si dhe shkaktimin e rrezikut ndaj banorëve për rreth tokës ku synohet ndërtimit i projektit, përmes ekspozimit ndaj materialeve me përmbajtje të azbestit.

Hulumtimin e KALLXO.com mund ta gjeni KËTU.