Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndërmarrja Publike Banesore prezanton projektin që synon rritjen e të hyrave përmes ndërtimit të përbashkët

Ndërmarrja Publike Banesore (NPB), po synon që përmes ndërtimit të përbashkët me sektorin privat, të rrisë të hyrat dhe pasurinë e saj.

Përmes një konference për media, kryeshefi i kësaj Ndërmarrje, Hajdar Hoxhaj dhe aksionari si përfaqësues i Komunës së Prishtinës, Dren Kukaj, prezantuan projektin që u quajt si projekti që do ta transferojë Ndërmarrjen Banesore të Prishtinës.

Hoxhaj tha se projekti ka filluar para dy viteve dhe fillimisht do të startojë me parcelat e Ndërmarrjes që gjenden në lagjen Lakrishte.

“Që nga ky vit ky projekt ka marrë epilog drejt finalizimit. Përmes bashkinvestitorëve, që tashmë janë përzgjedhur, ku tashmë kemi një marrëveshje aktuale, të nënshkruar për këtë projekt. Në këto parcela do të ndërtohet një kompleks afaristo-banesor, ku me finalizimin e këtij projekti Ndërmarrja pas tre viteve do t’i rrisë të hyrat në 4 fish më shumë, nga të hyrat egzistuese”, bëri të ditur Hoxhaj.

Sipas tij, NPB-ja nga këto parcela realizon rreth 37 mijë euro të hyra nga qeraja, në vit, ndërsa me finalizimin e projektit, sipas Hoxhajt, të hyrat do të rriten në 3.9 milionë euro.

“Përfitimet e para që do të realizohen pas përfundimit të këtij projekti, do të rriten të hyrat vjetore të qerasë në nivel të Ndërmarrjes, nga 1.2 milionë sa janë tani në 5.16 milionë. Sipas Marrëveshjes tashmë të nënshkruar NPB-ja do të përfitojë mbi 50% të vlerës së projektit”.

Përfitues të këtij projekti janë grup i Operatorëve Ekonomikë, që janë ‘Arkos’, ‘Made Group Construcsion’ dhe ‘Madekos’.