Punësimi i dyshimtë, gruaja e Dren Kukajt u punësua në Ndërmarrjen Publike Banesore

Dren Kukaj, gjatë kohës sa ishte aksionar në Ndërmarrjen Publike Banesore, më 18 tetor të vitit 2021, e kishte shpëtuar pa u shkarkuar nga pozita e kryeshefit, Hajdar Hoxhajn. 

Kryeshefi Hoxhaj ishte shkarkuar nga bordi i kësaj ndërmarrje me 15 tetor 2021, por vendimi për shkarkimin e tij nuk kishte arritur të protokolohej, kurse dy aksionarët, Dren Kukaj e Genc Sherifi, me datën 18 tetor kishin vendosur që të shkarkonin bordin.

Hoxhaj i kishte shpëtuar shkarkimit dhe e kishte vazhduar punën e tij në poziten e kryeshefit dhe vetëm 2 javë më vonë, me 3 nëntor e kishte hapur konkurs për pranimin e dy arkitektëve. 

KALLXO.com ka zbuluar se njëra nga arkitektet e punësuara në NPB është Dea Durmishi, ajo që më vonë do të bëhej gruaja e ish-aksionarit të ndërmarrjes, Dren Kukaj, personi që kishte rolin kryesor për të mbajtur Hoxhajn në krye të ndërmarrjes.

Në bazë të rezultatet përfundimtare të përzgjedhjes të publikuara me 30 dhjetor të vitit 2021, Durmishi është renditur e para me 84.5 pikë.

Dren Kukaj e Dea Durmishi janë martuar në muajin qershor të vitit 2022, por në bazë të postimeve në Facebook ata kanë qenë bashkë të paktën prej vitit 2020. 

Dren Kukaj në një përgjigje për KALLXO.com, e ka mohuar se ka ndikuar pozita që kishte në ndërmarrje, për zgjedhjen e gruas së tij në atë pozitë.

Kukaj ka thënë se ajo ka punuar edhe më herët në NPB dhe sipas tij, aty janë njoftuar.

“Unë Dean e kam taku aty, veqse ka qenë duke punu kur jam shku unë aty. Ka qenë duke punu në kuadër të një projekti. Ne aty jemi njoftu dhe nuk është mëkat apo e jashtëligjshme që jemi lidhë aty”, ka thënë Kukaj përmes telefonit.

Në ndërkohë, Ndërmarrja Publike gjithashtu e ka konfirmuar se Dea Durmishi ka qenë me kontratë për shërbime në këtë ndërmarrje, por kontratën e punës e ka marrë në dhjetor të vitit 2021.

“Ju njoftojmë që znj. Durimishi ka qenë e angazhuar në Projektin e Rigjenerimit mes Komunës së Prishtinës dhe NPB, tash e 5 vite, pra para se Kukaj të kishte pozitën e Aksionarit në NPB”, thuhet në përgjigjet e NPB-së.

Kjo ndërmarrje ka thënë se pozita e aksionarit në një ndërmarrje publike sipas ligjit nuk ka asnjë lidhje me çështjet ekzekutive të brendshme të saj, prandaj sipas tyre Kukaj nuk kishte ndikim në këtë konkurs.

“Të gjitha procedurat të cila NPB i ndjek janë në përputhje me ligjet dhe udhëzimet administrative në Republikën e Kosovës, të gjitha konkurset dhe procedurat e zgjedhjes janë bërë pa ndikime nepotiste, politike apo çfarëdo ndikimi tjetër”.

Sipas tyre, projekti i ‘Rigjenerimit Urban mes Komunës së Prishtinës dhe NPB’ ka qenë i nisur fillimisht nga Komuna e Prishtinës, por më pas në vitin 2019 me vendimin e kryetarit të komunës, projekti ka kaluar nën menaxhimin e NPB-së.

KALLXO.com ka kërkuar qasje në gjithë dokumentet e konkursin përmes të cilit ishte punësuar Dea Durmishit. NPB-ja e ka miratuar kërkesën, mirëpo nuk është caktuar dita kur mund t’i marrim ato. KALLXO.com, më 30 qershor, përmes emailit ka kërkuar nga NPB-ja që të caktohet një ditë për të marrë dokumentet, por ata nuk janë përgjgjur. Me datën 1 korrik, janë kontaktuar përmes telefonit, por përgjigja ishte që “mund t’i merrni gjatë javës së ardhshme”.

Projekti 120 milionësh 

Përveç drejtor i Mirëqenies Sociale në mandatin e dytë të Shpend Ahmetit në Prishtinë, Dren Kukaj, anëtar i Kryesisë së PSD-së, ka qenë një nga tre aksionarët e Ndërmarrjes Publike Banesore.

Aksionarët e një Ndërmarrje Publike lokale siç është NPB-ja, zgjedhën nga Kuvendi Komunal dhe mandati i tyre përfundon, kur të kryhet mandati i Kuvendit Komunal. 

Dy aksionarë janë përfaqësues të Asambles Komunale, ndërsa njëri është përfaqësues i kryetarit të Komunës që në rastin e NPB-së ishte Dren Kukaj pasi mbante edhe pozitën e Drejtorit të Shërbimeve Komunale. Kukaj ishte aksionar i kësaj ndërmarrje që nga data 1 mars 2018 kur ishte emëruar nga kryetari, Shpend Ahmeti.

Kukaj përvec që e kishte shpëtuar Hoxhajn nga shkarkimi, ka qenë aksionari që i ka qendruar gjithmonë në krah kryeshefit për të shtyrë përpara projektin e dyshimtë 120 milionë euro të NPB-së, i cili është duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit.

Ndërmarrja Publike Banesore për një projekt që e kap vlerën 120 milionë euro, u kishte dhënë mundësi bizneseve që të shprehin interesin vetëm 3 ditë, nga data 10 deri më 12 mars 2021.

Projekti parasheh ndërtimin e objekteve afariste e banesore në një prej zonave më të shtrenjta të Prishtinës, në “Lakrishtë”. Përveç kufizimit të konkurrencës, projekti u shoqërua me një skandal tjetër. Në tetor të 2021, përderisa kishin filluar punimet, gjatë rrënimit të disa objekteve të vjetra ku synohet të ndërtohet projekti, u zbulua se aty kishte material azbesti që është kancerogjen. Kjo kishte ndikuar që Ministria e Mjedisit të reagojë dhe të marrë vendim që të pezullojë projektin.

Gjatë kohës sa po diskutohej për projektin 120 milionësh, Bordi i NPB-së, i përbërë nga Lendita Mekuli Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bekim Pireva, më 15 tetor të vitit 2021 , me vota unanime kishte vendosur për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhaj.

Arsyet e shkarkimit të kryeshefit, sipas bordit, ishin neglizhenca për përcjelljen dhe zbatimin e projektit në “Lakrishtë” në përputhje me rregulloret, mosgatishmëria e tij për bashkëpunim, llogaridhënie, informim dhe transparencë ndaj bordit të drejtorëve si dhe mosrespektimi i sugjerimeve dhe kërkesave të drejtuara nga bordi, me qëllim parandalimin e çfarëdo dëmi potencial që mund të rrezikojë Ndërmarrjen.

Sipas bordit të drejtorëve, më 15 tetor kur është marrë vendimi, sekretari dhe personat përgjegjës për protokollim ishin në një takim pune jashtë Prishtinës, e për këtë arsye protokollimi i vendimit është shtyrë për datën 18 tetor.

Ndërsa më 18 tetor, bordi prapë nuk ka arritur ta protokollojë vendimin për shkarkimin e kryeshefit, pasi, sipas tyre, kjo nuk i është lejuar nga kryeshefi dhe vartësja e tij, e cila sipas tyre, e ka mbajtur vulën e protokollimit në mënyrë të paligjshme.

Por, një zhvillim tjetër kishte ndodhur gjatë kohës kur bordi po tentonte protokollimin e vendimit të shkarkimit të kryeshefit.

Dren Kukaj dhe Genc Sherifi kishin penguar shkarkimin e kryeshefit Hajdar Hoxhajt, i cili ishte zgjedhur në atë pozitë në mandatin e dytë të Shpend Ahmetit si kryetar i Prishtinës.

“Ditën e hënë, me datën 18 tetor 2021, kur kryesuesja e Bordit ka shkuar që ta bëjë protokollimin e vendimit që nuk iu lejua, si këmbim iu dha një vendim në formë fizike për shkarkimin e dy nga katër anëtarët e Bordit të Drejtorëve”, thuhet në një përgjigje të bordit për KALLXO.com.

Kukaj me Sherifin kishin shkarkuar dy anëtarët e Bordit, Bekim Pirevën dhe Arbnora Jashanicën, të dy të zgjedhur përmes konkursit që ishte zhvilluar në bashkëpunim me BDO-në, kompaninë e angazhuar nga Ambasada britanike për t’i asistuar institucionet në rekrutim të pozitave të larta drejtuese.

Aksionar i NPB-së në atë kohë ka qenë edhe Vesel Makolli, por i njejti nuk e kishte nënshkruar vendimin për shkarkimin e dy anëtarëve. 

“Komisioni Komunal i Aksionarëve në mbledhjen e saj të mbajtur me datë 18 tetor 2021 ka analizuar dhe shqyrtuar punën e Bordit të Drejtorëve të NPB-së, përkatësisht të anëtarëve Bekim Pireva dhe Arbnora Jashanica, me ç’rast ka vlerësuar se të njëjtit gjatë kryerjes së detyrave në bazë të Ligjit, kanë shkelur detyrat e tyre fiduciare”, thuhet në vendimin e bordit të aksionarëve.

Më 25 tetor, bordi i aksionarëve kishte vazhduar me shkarkime. Ata kishin shkarkuar edhe dy anëtarët e tjerë të bordit të drejtorëve, Lendita Myderizi dhe Xhevdet Leci. 

Në po të njejtën ditë, aksionarët kanë emëruar bordin e ri të drejtorëve, pa kurrfarë procedure të rekrutimit apo të konkursit. Anëtarët e rinj të bordit të drejtorëve të NPB-së janë Arbër Blakaj, Alban Ramosaj, Driton Tahirukaj dhe Luftar Braha. 

Me 18 nëntor 2021, Dren Kukaj kishte dalur në një konferencë për media, duke akuzuar disa ‘dikastere qeveritare’ se janë organizuar për të dëmtuar NPB-në. Ai kishte thënë se Ndërmarrja rrezikon të futet në një proces të arbitrazhit.