Foto: KALLXO.com

Gjykata shqyrton kërkesën e LVV-së në rastin kundër NPB-së për projektin në vlerë 120 milionë euro

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca gjyqësore rreth padisë së ushtruar nga Lëvizja Vetëvendosje ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) në lidhje me projektin për ndërtimin e një kompleksi në lagjen “Lakërishtë” të kryeqytetit. Projekti kap vlerën 120 milionë euro.

Sot gjatë ditës, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në një konferencë për media të mbajtur te Pallati i Drejtësisë paralajmëruan për mbajtjen e një seance të tillë.

Në këtë seancë u shtjellua kërkesa e LVV-së për caktim të masës së sigurisë në lidhje me këtë projekt të NPB-së.

Këtë kërkesë, LVV-ja e kishte dorëzuar fillimisht më 8 gusht të këtij viti së bashku me padinë kundër NPB-së. Ndonëse kanë kaluar afër 3 muaj nga dorëzimi i kësaj kërkese ende nuk ka vendim.

LVV-ja si palë paditëse pretendon se në mbrojtje të interesit të përgjithshëm duhet të caktohet sa më parë masa e sigurisë, me të cilën ndalohet tjetërsimi i gjendjes faktike dhe juridike të asaj pjese të lagjes “Lakërishtë”.

“Me këtë kërkesë për caktim të masës së sigurimit, kërkojmë nga Gjykata që të marrë çfarëdo veprimi duke përfshirë dhe nënkuptuar edhe rrënimin e objekteve ekzistuese, ndërtimin e të rejave në ngastrat kadastrale duke përfshirë gërmimin, ndërtimin apo ndryshimin e gjendjes faktike dhe juridike të ngastrave kadastrale” – tha përfaqësuesi i LVV-së, Gëzim Sveçla, në seancë.

LVV-ja pretendon se prokuroria vetëm se ka filluar hetimet në lidhje me këtë rast, kurse NPB konsideron se po të gjente diçka të dyshimtë Prokuroria do të bënte ngrirjen e veprimeve të mëtutjeshme.

“Prokuroria gëzon të drejta të plota nëse eventualisht ka dyshime për një punë juridike të cilën mund ta ngrijë apo pezullojë deri në një verdikt të ardhshëm. Prokuroria vetëm ka filluar hetimet dhe meqë e njëjta ende nuk ka gjetur asnjë shkelje e njëjta nuk ka bërë ngrirje as të pasurisë, as të aseteve të cilat ndërlidhen me këtë çështje” – tha përfaqësuesi i NPB-së, avokati Valdrin Behrami.

Po ashtu, njëra ndër çështjet e ngritura për caktim të masës së sigurisë nga ana e  LVV-së ishte edhe rreziku që kanoset nga ato objekte me përmbajtje të azbestit.

“Në lidhje me përmbajtjen e materialit të rrezikshëm azbest, NPB ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme drejt eliminimit të të gjitha pasojave të cilat rrjedhin nga ky material e veçanërisht duke parë që nuk ka ndonjë kompani të licencuar për trajtimin e parandalimin e kësaj dukurie, nga NPB është kërkuar ndihma e FSK-së në mënyrë që këto materiale të mos kenë ndonjë ndikim eventual në rrethin ku po kryhen punimet” – shtoi avokati Valdrin Behrami.

Në lidhje me këtë kërkesë të LVV-së, Gjykata do të vendosë jashtë shqyrtimit gjyqësor.

Më 4 nëntor 2021, në KALLXO.com është publikuar hulumtimi që pikërisht tregon për projektin e dyshimtë të Ndërmarrjes Publike Banesore, në vlerë 120 milionë euro, për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen ‘Lakërishtë’ të kryeqytetit.

Në këtë hulumtim tregohet se si ish-bordi i drejtorëve kishte shkarkuar kryeshefin ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhajn, nën pretendimet për shkelje ligjore gjatë projektit në “Lakërishte”. Vendimi për shkarkimin e kryeshefit nuk ishte protokolluar nga stafi i NPB-së dhe si rrjedhojë tre ditë më pas, aksionarët e Ndërmarrjes kishin shkarkuar dy anëtarët e bordit.

E në gusht po ashtu Policia kishte kryer bastisje në NPB. Bastisja u krye për të marrë dokumente që ndërlidhen me projektin e dyshimtë afaristo-banesor të NPB-së, që kap shifrën 120 milionë euro.

Lidhur me këtë bastisje, NPB-ja ka konsideruar që ka pasur shkelje ligjore.