Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hajdar Hoxhaj i NPB-së akuzon AKP-në për neglizhencë: Dëmi i arbitrazhit do të bartet tek ju

Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Hajdar Hoxhaj, ka akuzuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), se kërkesën për caktimin e kufirit të pronës në mes të dy këtyre institucioneve, këta të fundit e kanë neglizhuar.

Për këtë, Hoxhaj ka thënë se nëse projekti 120 milionësh i NPB-së përfundon në arbitrazh, pasojat do të barten te AKP-ja.

Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën pasdite, Hoxhaj tha se Ndërmarrja Publike Banesore i është drejtuar me një kërkesë AKP-së për caktimin e kufirit të pronës, në lagjen ‘Lakërishte’ të Prishtinës.

Caktimi i kufirit të pronës ka për qëllim që t’i hapë rrugë projektit të dyshimtë të NPB-së që e kap vlerën 120 milionë euro, për të cilin është duke u marrë Prokuroria. Projekti është bashkëfinancim në mes të NPB-së dhe një konzorciumi, i përbërë prej tri kompanive private dhe ka për synim ndërtimin e një kompleksi banesor-afarist në Lakërishte.

“Bordi i drejtorëve të AKP as nuk e ka aprovu dhe as nuk e ka refuzu kërkesën. E kanë neglizhuar si kërkesë, edhe përtej rëndësisë së madhe që ka”, tha Hoxhaj para gazetarëve.

Tutje, kryeshefi i NPB-së tha se më herët është përckatuar kufiri i pronës në mes të dy institucioneve, por që më pas është rikthyer në shqyrtim, për shkak se personi përgjegjës i AKP-së që ka marrë pjesë në caktimin e kufirit, nuk ka qenë i autorizuar.

Hoxhaj u bëri thirrje bordit të AKP-së që ta trajtojnë këtë kërkesë, që t’i hapet rrugë projektit.

Ai paralajmëroi se projekti mund të përfundojë në procesin e arbitrazhit, sipas kontratës së nënshkruar me kompaninë private dhe për këtë Hoxhaj tha se ‘fajin’ do ta bartë te AKP-ja.

“Kontrata që e kemi të nënshkruar, parasheh edhe arbitrazhin dhe në raste të tilla, një dëm eventual që mundet të shkaktohet nga arbitrazhi, do t’i bartet AKP-së për moscaktimin e vijës kufitare. Kjo është që mundet me ndodhë në të ardhmen në raport me AKP”, tha Hoxhaj.

KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit zëvendësuesin e drejtorit menaxhues të AKP-së, Avni Jasharin, por ai nuk ka pranuar të përgjigjet për akuzat e Hajdar Hoxhës, duke kërkuar që të drejtohemi me pyetje me shkrim.

Ndërmarrja Publike Banesore nuk e ka caktuar në mënyrë të rregullt mezhdën me Agjencinë Kosovare të Privatizimit për të saktësuar pronën në të cilën do të ndërtohet projekti i dyshimtë në vlerë 120 milionë euro.

Për shkak të dyshimeve për shkelje gjatë procedurave, AKP-ja ka nisur proces diciplinor ndaj një punëtori të saj për çështjen e ndarjes së pronës.

KALLXO.com ka gjetur se NPB-ja kishte shfrytëzuar një procesverbal të një zyrtari të AKP-së që ishte bërë pa pëlqimin dhe miratimin e Bordit të AKP-së dhe as të Njësisë së Kadastrit të AKP-së.

Më 4 nëntor 2021, në KALLXO.com është publikuar hulumtimi që tregon për projektin e dyshimtë të Ndërmarrjes Publike Banesore, në vlerë 120 milionë euro, për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen Lakërishte të kryeqytetit.

Në këtë hulumtim tregohet se si ish bordi i drejtorëve kishte shkarkuar kryshefin ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhajn, në pretendimet për shkelje ligjore gjatë projektit në Lakërishte. Vendimi për shkarkimin e kryeshefit nuk ishte protokuluar nga stafi i NPB-së dhe si rrjedhojë tre ditë më pas, aksionarët e Ndërmarrjes kishin shkarkuar dy anëtarët e Bordit.

Gjithashtu, në hulumtim tregohet për procedurat e dyshimta të përzgjedhjes së kompanive fituese, kufizimin e konkurencës, mungesën e transparencës si dhe shkaktimin e rrezikut ndaj banorëve për rreth tokës ku synohet ndërtimit i projektit, përmes ekspozimit ndaj materialeve me përmbajtje të azbestit.

Ana e errët e projektit të ndërtimeve të Ndërmarrjes së Prishtinës