Ndërmarrja Publike Banesore mohon pretendimet e ministrit Aliu se ka shkelje ligjore në projektin milionësh

Kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Hajdar Hoxhaj, ka reaguar pasi ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se ka shkelje ligjore në projektin për ndërtimin e objektit shumëkatësh, projekt që do të kryhet nga NPB-ja – bashkinvestim me kompani private.

Hoxhaj tha se Aliu ka thënë deklarata të pavërteta, shantazhuese dhe  kërcënuese në drejtim të NPB-së.

“Ne ndoqëm me vëmendje konferencën e Aliut që është paraqitje tejet joprofesionale dhe thelbësisht joligjore”, tha ai.

Tutje ai tha se nuk është hera e parë që ky projekt po tentohet të ndalohet nga Qeveria e Kosovës.

“Ka disa ministri në Qeveri që janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme të dëmtojnë reputacionin dhe interesin e NPB-së“, ka vazhduar Hoxhaj.

Kryeshefi ekzekutiv i NPB-së tutje njoftoi se projekti nuk është nisur nga ata.

Ai tha se ky projekt është finalizuar në kohën kur të njëjtit po e udhëheqin NPB-në, mirëpo është nisur në kohën kur vetë Liburn Aliu ka qenë drejtor i Urbanizmit.

Hoxhaj tregoi se kanë pranuar një shkresë nga avokati shtetëror.

“Rrjedhimisht avokati i shtetit harron që është ndërhyrje flagrante në kompetencat e ndërmarrjes”, tha ai.

“Ne jemi të përjashtuar nga ai ligj [Ligji për menaxhimin e financave publike”, shtoi Hoxhaj.

Hoxhaj komentoi deklaratën e ministrit të MMPHI-së, i cili tha se vendimi për leje është i NPB-së.

“Ne kemi thënë që lejen e marrim ne përsipër sepse duam ne ta menaxhojmë projektin dhe oferta kur janë prezantuar dhe kanë aplikuar, kanë aplikuar mbi këtë parim”, tha ai.

“I nderuar Aliu, cila është logjika që tash operatorin ekonomik me futë pjesë të lejes kur në dosje ka qenë e përcaktuar kjo çështje? Ky është proces ligjor juridik”, vazhdoi Hoxhaj.

Sa i përket termit të përdorur në kontratë “Shfrytëzim i përhershëm”, Hoxhaj ka shpjeguar se është përdorur për ndërtimin që derivon mbi tokë, por jo vetë toka.

“Përkundrazi, toka asnjëherë nuk i jepet bashkinvestitorit, ajo gjithmonë i mbetet NPB-së dhe kjo është e rregulluar me rregullore. Në kadastër, toka gjithmonë do t’i mbetet NPB-së ndërsa pjesa që ndërtohet mbi tokë ajo jepet në shfrytëzim të përhershëm”, vazhdoi Hoxhaj.

Më 18 gusht të këtij viti, Ndërmarrja Publike Banesore publikoi një projekt, për ndërtimin e një objekti shumëkatësh në lagjen Lakrishtë të Prishtinës. Ky projekt është bashkinvestim me kompani private, ndërsa sipas NPB-së, synon që të rrisë të hyrat e Ndërmarrjes.

Më vonë, më 2 shtator, asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, përmes një konference për media, akuzoi NPB-në se po manipulon me këtë projekt.

Më 6 tetor, Ministria e Mjedisit mori vendim që të pezullojë punimet në këtë projekt, pasi që gjatë rrënimit të disa objekteve, u ngrit dyshimi se ndërtesat kanë materiale me përmbajtje të asbestit.

Ministria e Mjedisit pezullon punimet e NPB-së në Prishtinë, shkak materiali kancerogjen i azbestit

www.kallxo.com